
Një organizatë bamirëse në Uells po stërvit qen të racave speciale për t’i përdorur në Afrikë në luftën kundër gjuetarëve të paligjshëm të faunës së egër. Dogs4Wildlife, e themeluar nga Darren Priddle dhe Jacqui Law në Carmarthenshire, po përgatit Dutch Shepherd dhe Belgian Malinois për t’i dërguar në rezervate në Zimbabve, Mozambik, Tanzani dhe vende të tjera të Afrikës së jugut.

Këta qen trajnohen rreth 18 muaj dhe mësojnë që të identifikojnë gjurmë, erë,brirë rinoceronti apo fakte të tjera që lidhen me krimin ndaj kafshëve të mbrojtura. Një rast i publikuar nga CNN tregon se qeni Shinga, i rritur në Uells, zbuloi një gjuetar në Zimbabve duke ndjekur gjurmët e tij 4.5 kilometra deri në shtëpi, duke bërë të mundur arrestimin e tij.

Në parkun Imire në Zimbabve, drejtuesit pohojnë se prania e këtyre qenve ka ulur ndjeshëm rastet dhe shpesh i ka shpëtuar jetën rojeve të parkut gjatë kontrolleve natën.
Organizata synon që më tej të hapë një shkollë të specializuar trajnimi brenda Afrikës dhe punon edhe me fëmijët lokalë për edukimin dhe ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e mbrojtjes së rinocerontëve dhe faunës së egër.

Aktualisht, provinca e KwaZulu Natal në Afrikën e Jugut është ndër zonat më të prekura, me mbi 300 rinocerontë të vrarë gjatë vitit 2023.







