Në zonën e ndaluar të Chernobyl-it, kujdestarët e qenve endacakë kanë zbuluar një dukuri të pazakontë: disa prej kafshëve janë shfaqur me ngjyrë blu. Pamjet, të shpërndara nga organizata “Dogs of Chernobyl”, kanë habitur ekspertët dhe kanë hapur një debat të gjerë shkencor mbi shkakun e këtij fenomeni të rrallë.

Sipas kujdestarëve, qentë nuk kishin pasur ngjyrë blu vetëm pak ditë më parë, çka ngre dyshime se ata mund të jenë ekspozuar ndaj një substance kimike në zonë. “Nuk e dimë ende arsyen, por po përpiqemi t’i kapim për t’i ekzaminuar,” – deklaron grupi në njoftimin e tyre. “Më së shumti, duket se janë futur në kontakt me ndonjë kimikat.”

Organizata “Dogs of Chernobyl”, që operon në kuadër të fondacionit jofitimprurës Clean Futures Fund, kujdeset për rreth 700 qen që jetojnë në zonën e braktisur që nga fatkeqësia bërthamore e vitit 1986. Ata sigurojnë ushqim, kujdes veterinar dhe sterilizim për kafshët që kanë mbetur aty si pasardhës të qenve të braktisur gjatë evakuimit të popullsisë.

Ndërsa ngjyra blu e qimes ka ngritur shqetësime për ndotje të mundshme, kujdestarët theksojnë se qentë duken “shumë aktivë dhe të shëndetshëm”. Për momentin, ekspertët nuk kanë konfirmuar nëse bëhet fjalë për ndonjë efekt të rrezatimit apo për kontakt me mbetje industriale që ende gjenden në zonën e ndaluar.

Hetimet për të zbuluar shkakun e këtij fenomeni janë në zhvillim, ndërsa pamjet e qenve blu nga Chernobyl kanë bërë xhiron e botës, duke sjellë sërish në vëmendje pasojat e padukshme të katastrofës më të madhe bërthamore në histori.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu