Ekspertët e sjelljes së qenve theksojnë rëndësinë që fëmijët të mësohen që në moshë të vogël se qeni nuk është një lodër apo pelush, por një qenie e gjallë me ndjenja, kufij dhe mënyra të veçanta komunikimi. Mungesa e këtij edukimi, sipas specialistëve, mund të çojë në situata të rrezikshme dhe kafshime të papritura.

Instruktorja e qenve dhe rehabilituesja e sjelljes, Irene Sofia, shpjegon se qentë i perceptojnë fëmijët si bashkëmoshatarë dhe shokë loje. Megjithatë, lëvizjet e vrullshme, zërat e lartë, vrapimet dhe sjelljet e paparashikueshme të fëmijëve mund ta vënë qenin në gjendje stresi ose entuziasmi të tepruar, duke rritur rrezikun e reagimeve të pakontrolluara.

Sipas saj, edhe qentë e rritur, jo vetëm këlyshët, mund të ndihen të kërcënuar ose të bezdisur nga sjelljet e papërshtatshme të fëmijëve, sidomos kur këta të fundit i tërheqin nga bishti, veshët apo i shqetësojnë gjatë pushimit.

Ekspertët theksojnë se roli i prindërve është kyç. Ata duhet të ndërmjetësojnë marrëdhënien mes fëmijës dhe kafshës, duke i mësuar fëmijët të lexojnë sinjalet bazë të qenit, si:

  • Skërrmitja e dhëmbëve, që është shenjë paralajmëruese dhe jo “buzëqeshje”;
  • hapja e gojës, që shpesh tregon stres apo shqetësim
  • tundja e bishtit, që nuk nënkupton gjithmonë gëzim.

Një tjetër element i rëndësishëm është respektimi i hapësirës së qenit, veçanërisht gjatë pushimit. Sipas specialistëve momentet e qetësisë duhet të konsiderohen “të shenjta”.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për rrezikun e antropomorfizimit të kafshëve, i nxitur shpesh nga filmat vizatimorë, ku qentë paraqiten si njerëz. Kjo krijon pritshmëri të gabuara te fëmijët dhe rrit keqkuptimet në marrëdhënie.

Sipas tyre, rritja e fëmijëve me kafshë shtëpiake ka përfitime të mëdha, duke nxitur empatinë, përgjegjësinë dhe ndjeshmërinë, por vetëm nëse shoqërohet me edukim të duhur dhe mbikëqyrje nga të rriturit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu