
kohët e fundit, është bërë e zakonshme të shohësh qen nëpër evente, restorante apo edhe klube nate. Shumë pronarë i marrin me vete për të mos i lënë vetëm ose për të ndarë përvoja së bashku. Por sipas veterinares dhe ekspertes së sjelljes, Zita Talamonti e cila flet për Corriere della Sera, kjo nuk është gjithmonë një gjë e mirë për kafshën. Zhurma, dritat, aromat dhe turma e njerëzve mund të jenë burim i madh stresi për qenin.
Qeni dhe mjediset e zhurmshme
“Fatmirësisht, sot shoh gjithnjë e më pak qennë vende shumë të zhurmshme dhe të mbushura me njerëz,” – shpjegon Talamonti. “Por ende ekziston ideja e gabuar se mund t’i marrim në çdo vend, për shembull në gara sportive apo në koncerte, vetëm sepse janë në ambiente të hapura. Por kjo nuk është aspak e njëjtë me një shëtitje të qetë në park. Në mjedise të mbingarkuara me stimuj që qeni nuk i kupton, ai mund të ndjejë frikë dhe pasiguri.”
Të dëgjosh nevojat e kafshës
Çdo qen ka një nivel të ndryshëm përshtatjeje. “Duhet ta dëgjojmë kafshën dhe të kuptojmë deri ku mund të shkojmë me të,” – shton mjekja. “Ka qen që janë më të hapur ndaj zhurmës, por ka edhe nga ata që nuk arrijnë ta përballojnë. Detyra jonë është t’i mbrojmë, jo t’i detyrojmë të jetojnë përvoja që i stresojnë.”
Shembulli i një qeni të frikësuar në qytet
Talamonti tregon historinë e një qeni që kishte kaluar gjashtë muajt e parë të jetës në një strehë në Jug të Italisë dhe më pas u adoptua nga një çift në Milano. “Ata ishin të kujdesshëm dhe të dashur, por menduan se qeni do të përshtatej lehtësisht me jetën urbane – shëtitjet në qendër, zhurmat e makinave, njerëzit e shumtë. Në të vërtetë, ai trembej edhe nga një monopatinë që kalonte pranë. Një kafshë e tillë ka nevojë për kohë dhe qetësi për t’u ambientuar.”
Rikthimi te natyra
“Qentë, qoftë të racave të gjuetisë apo të barinjve, ndihen më mirë në natyrë. Kanë nevojë për tokë nën putra, hapësirë për të lëvizur e eksploruar,” – thekson veterinerja. “Duhet të mësojmë të përshtatim daljet tona sipas nevojave të tyre, jo t’i detyrojmë të ndjekin mënyrën tonë të jetesës. Vetëm kështu mund t’u sigurojmë mirëqenie dhe qetësi.”
Në thelb, mesazhi është i qartë: të duash një qen do të thotë të respektosh kufijtë dhe ndjeshmërinë e tij, duke zgjedhur për të mjedise që i sjellin siguri dhe harmoni, jo stres dhe frikë.




