
Organizata Qëndresa Qytetare ka reaguar pas arrestimit të Kevi Muçllarit, banor i fshatit Çërravë në Pogradec, duke e cilësuar rastin si një akt të papranueshëm të instrumentalizimit politik të organeve të rendit dhe drejtësisë.
Në deklaratën e saj publike, Qëndresa Qytetare kërkon lirimin e menjëhershëm të Muçllarit, i cili — sipas familjarëve dhe pamjeve filmike të bëra publike — u ndalua pas një përplasjeje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Pogradec, ku u debatua mbi transferimin e kullotave publike tek bizneset e fotovoltaikëve.
“Policia dhe Prokuroria të mos përdoren si instrumenta politike”
Sipas organizatës, Kevi Muçllari akuzohet për “goditje për shkak të detyrës”, por pamjet e ngjarjes tregojnë se nuk ka pasur asnjë dhunë nga ana e banorëve, përkundrazi, provokimi fizik erdhi nga vetë disa këshilltarë bashkiakë.
> “Në këtë situatë, shteti nuk duhet të godasë më të dobëtin, por më të padrejtin. Gjykata duhet të shfuqizojë vendimin arbitrar të Këshillit Bashkiak, jo të arrestojë djem e vajza që kërkojnë drejtësi për tokat e tyre,” — thuhet në reagim.
Nga kullotat e fshatarëve tek bizneset private
Sipas Qëndresës Qytetare, vendimi i Këshillit Bashkiak Pogradec për të kaluar pronat që prej vitesh shfrytëzoheshin si kullota për bagëtitë e banorëve të zonës tek disa përfitues privatë për ndërtimin e paneleve diellore, është një vendim abuziv dhe i padrejtë.
“Zhvillimi i sotëm kishte të bënte me transferimin e pronave që fermerët i përdornin për kullota, tek përfitues privatë të biznesit të fotovoltaikëve, duke u prerë mundësinë banorëve për të ushqyer kafshët e tyre,” — thekson organizata.
Kërkesë për monitorim institucional
Qëndresa Qytetare i bën thirrje Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe Avokatit të Popullit, që të monitorojnë nga afër këtë rast, duke e cilësuar si një precedent të rrezikshëm për lirinë e protestës dhe të drejtën e pronës.
“Policia dhe Prokuroria nuk duhet të shërbejnë si instrumente politike për të frikësuar qytetarët që kërkojnë drejtësi dhe mbrojnë pronën e tyre.”




