
Me vendim të kryeministrit Edi Rama, Qyteti Antik i Butrintit i është dhënë me koncesion Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), një strukturë që në publik paraqitet si organizatë jofitimprurëse, por në realitet funksionon si kompani ndërtimi e shërbimesh private, nën drejtimin e oligarkut Aleksandër Sarapuli.
Sipas kontratës së koncesionit, administrimi i Butrintit duhet të përqendrohet në ruajtjen, mirëmbajtjen dhe promovimin e parkut, pa prekur asnjë centimetër tokë, gur apo pemë. Por në qendër të qytetit antik, prej më shumë se tetë vitesh, kompania “Hako” ka ngritur një restorant, qebaptore dhe kafene me tulla e beton, bashkë me një lavazh makinash dhe parking privat.
Adnand Hako, pronar i kompanisë së përpunimit të mishit “Hako”, i ka ndërtuar këto struktura mbi 1100 m² tokë në qendër të Butrintit. Leja për përdorimin e 217.38 m² i është dhënë me kontratë të firmosur nga ish-ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro më 2 qershor 2017. Nga kjo sipërfaqe, 60.33 m² përfshinte objekte antike dhe 153.45 m² zonë në proces gërmimesh arkeologjike. Por në terren, kompania “Hako” ka përvetësuar e ndërtuar mbi pesëfishin e sipërfaqes së lejuar.
Sipas informacioneve të mbledhura nga vizitorë dhe burime brenda Këshillit Kombëtar të Restaurimeve dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, Adnand Hako ka zaptuar edhe 500 m² të tjera në zemër të parkut arkeologjik. Në këtë hapësirë, ai planifikon ndërtimin e një hoteli 6-katësh me beton, në bashkëpunim të heshtur me Ministrin e Ekonomisë dhe Kulturës Blendi Gonxhe dhe me miratim të tërthortë nga drejtuesit e AADF-së.
Zona ku është ndërhyrë për ndërtim ndodhet në qendër të Butrintit, në një territor të shpallur si me rëndësi të veçantë për kërkimet arkeologjike, të mbrojtur nga UNESCO. Megjithatë, me mbështetje politike dhe heshtje institucionale, Hako po realizon projektin e tij me lehtësira të paprecedenta.
Skandali është vijimësi e vendimeve të ish-ministres Kumbaro, e cila në emër të “zhvillimit turistik” i dha akses privatëve mbi pasuritë e trashëgimisë kombëtare. Ndërkohë që në Tiranë dhe qytete të tjera po hiqen tendat dhe kangjellat e lokaleve mbi trotuare, në Butrint, në një pasuri të njerëzimit, lejohet ndërtimi i restoranteve, lavazheve dhe hoteleve me tulla e beton.
Ky është modeli i trajtimit që i bëhet trashëgimisë historike në Shqipëri: përdhosje, grabitje dhe betonizim në funksion të një pakice klienteliste. Ndërsa ligji dhe morali publik heshtin./ Pamfleti