
Sarov, Rusi – Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se shpreson që “ritmi i punës së përbashkët” me Shtetet e Bashkuara të vazhdojë, një javë pas takimit të tij me Presidentin amerikan Donald Trump në Alaska.
Gjatë vizitës në qendrën ruse të kërkimeve bërthamore në qytetin Sarov, Putin shtoi se është i sigurt që aftësitë udhëheqëse të Trump-it janë një garanci e mirë për rikthimin e marrëdhënieve. Ai gjithashtu njoftoi se Moska po diskuton me partnerët amerikanë mundësinë e bashkëpunimit në fushën e nxjerrjes së mineraleve, jo vetëm në zonën arktike të Rusisë, por edhe në Alaska.
Putin theksoi gjithashtu rëndësinë e resurseve minerale në Arktik dhe rolin strategjik të submarineve bërthamore të Rusisë, që operojnë nën akujt e Oqeanit Arktik dhe mbeten të padukshme për radarët.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivelin më të ulët pas Luftës së Dytë Botërore, megjithatë Putini shprehu optimizëm për një dritë në fund të tunelit me ardhjen e administratës së Trump.