
Uashington – Përfaqësuesi special i Presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, deklaroi se presidenti rus Vladimir Putin ka pranuar për herë të parë idenë e ofrimit të garancive të forta të sigurisë për Ukrainën, në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
Sipas Witkoff, marrëveshja parashikon një mekanizëm të ngjashëm me nenin 5 të NATO-s, sipas të cilit një sulm ndaj njërit do të konsiderohej sulm ndaj të gjithëve, edhe pse Ukraina nuk do të bëhej anëtare e aleancës. “Ishte hera e parë që rusët ranë dakord për një formulë të tillë,” tha ai për CNN.
Putin ka bërë gjithashtu disa lëshime mbi kërkesat për “shkëmbime territoriale”, duke sugjeruar që diskutimet të bazohen mbi vijën aktuale të frontit dhe jo kufijtë administrativë të rajoneve të pretenduara prej tij. Megjithatë, ai vijon të këmbëngulë që Ukraina të mbetet një shtet neutral, jashtë NATO-s dhe me ushtri të reduktuar.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndodhet në Bruksel, ku së bashku me presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen theksoi se “negociatat reale duhet të nisin mbi vijën e frontit aktual” dhe se çdo marrëveshje duhet të përfshijë drejtpërdrejt vetëm SHBA, Rusinë dhe Ukrainën.
Zelensky pritet të mbërrijë nesër në Shtëpinë e Bardhë, ku do të zhvillojë takime me Donald Trump dhe liderë europianë nga Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Diskutimet pritet të jenë vendimtare për fatin e një marrëveshjeje paqeje që mund të ndryshojë drejtimin e luftës në Ukrainë.