Filmi “My Father’s Shadow”, me regji të britaniko-nigerianit Akinola Davies Jr., po konsiderohet një moment historik për kinemanë nigeriane, pasi u bë filmi i parë nga ky vend që u përzgjodh në programin zyrtar të Festivalit të Filmit në Kanë.

Regjisori u prit me duartrokitje nga mbi 2,000 pjesëmarrës në Grand Theatre Lumiere, ku filmi mori një vlerësim të veçantë nga juria për debutimin e tij në film të gjatë. Pas suksesit në festivale, prodhimi pritet të dalë në kinematë britanike më 6 shkurt dhe në SHBA më 13 shkurt.

Drama gjysmë-autobiografike trajton temat e humbjes, kujtesës dhe marrëdhënies atë-bir. Filmi ndjek historinë e një babai që udhëton me dy djemtë e tij në Lagos pas zgjedhjeve të vitit 1993 në Nigeri, një periudhë e trazuar politike që shërben si sfond emocional për rrëfimin.

Akinola Davies Jr. gjatë ceremonisë përmbyllëse të Festivalit të Filmit në Kanë 2025, ku filmi i tij “My Father’s Shadow” mori një vlerësim të veçantë nga juria për debutimin në film të gjatë.

Skenari është shkruar nga Davies Jr. në bashkëpunim me vëllain e tij Wale Davies dhe është frymëzuar pjesërisht nga humbja e hershme e babait të tyre. Regjisori ka treguar se leximi i historisë e kishte prekur thellë emocionalisht, duke e cilësuar projektin si një reflektim mbi mënyrën se si formohen kujtimet.

Në rolin kryesor është aktori britaniko-nigerian Ṣọpẹ́ Dìrísù, i cili portretizon një figurë atërore të përballur me përgjegjësitë familjare dhe pritshmëritë shoqërore. Filmi u xhirua në Lagos me një kast dhe ekip kryesisht nigerian, duke sjellë një pamje autentike të jetës së përditshme në qytet.

Produksioni është mbështetur nga kompani në Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë dhe Nigeri dhe është vlerësuar për mënyrën se si sfidon imazhin tradicional të Nollywood-it, duke ofruar një qasje më artistike dhe introspektive.

“My Father’s Shadow” është shfaqur në disa festivale të mëdha, përfshirë Toronto, Londër dhe Busan, ndërsa është përzgjedhur nga Britania për kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar në Oscar. Prodhimi ka marrë gjithashtu 12 nominime në British Independent Film Awards, ku Davies Jr. fitoi çmimin për regjisorin më të mirë debutues.

Suksesi i filmit shihet si pjesë e një “revolucioni të qetë” në kinemanë nigeriane, me gjithnjë e më shumë regjisorë të pavarur që po fitojnë vëmendje ndërkombëtare. Sfida mbetet gjetja e një audience të gjerë brenda vendit, ku numri i kinemave është i kufizuar dhe pirateria mbetet problem.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu