
Ka pasur një kohë në historinë e Italisë kur gushti ishte i shenjtë për pushimet: fabrikat mbylleshin dhe vendi bllokohej në radhë autostradash dhe plazhe të tejmbushura. Por ky realitet duket gjithnjë e më i tejkaluar – dhe megjithatë, modeli mbetet ende i njëjtë.
Pavarësisht se jemi në vitin 2025, kalendari i punës në Itali sillet sikur jemi ende në vitet ’60, duke detyruar miliona punonjës – veçanërisht në sektorin e shërbimeve, ku fleksibiliteti është i mundur – të respektojnë një traditë që sot është gjithnjë e më e padurueshme shkruan thevision.com.
Në një kohë kur kostoja e jetesës po rritet ndjeshëm, pagat janë ndër më të ulëtat në Europë dhe temperaturat e larta e bëjnë të papëlqyeshme vizitën në qytete të artit, ideja për të përqendruar pushimet vetëm në gusht po kthehet në një barrë, jo privilegj.
Një sondazh i fundit i SWG tregon se 9 nga 10 italianë do të preferonin të shkonin me pushime në një periudhë tjetër të vitit. Shumica e atyre që pushojnë në gusht e bëjnë këtë jo nga dëshira, por sepse janë të detyruar nga punëdhënësit, të cilët preferojnë të mbyllin të gjithë stafin njëherësh, në vend që të respektojnë nevojat individuale.
Pushimet e detyruara në kulmin e sezonit janë një problem ekonomik – me çmime të larta për bileta dhe akomodim – por edhe një çështje e mirëqenies dhe dinjitetit. Qetësia dhe koha për veten nuk duhet të lidhen me radhë të gjata dhe plazhe të tejmbushura.
Italia ka vështirësi të dalë nga modeli “kështu është bërë gjithmonë”, por e ardhmja e punës dhe e jetës kalon pikërisht nga guximi për të kërkuar më shumë liri dhe respekt për kohën personale.