Drejtori i Radio Televizionit Shqiptar, Alfred Peza, është kallëzuar në SPAK për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre, korrupsion dhe vjedhje me anën e mashtrimit.
Kallëzimi, i cili është dorëzuar sot pranë SPAK-ut, është bërë nga Denisa Begolli Plaka, e cila ka mbajtur detyrën si koordinatore e RTSH-së.
Ndërkohë në SPAK, Plaka ka kallëzuar edhe dy punonjës të tjerë të RTSH-së, Blerta Filopati dhe Olsjan Laskaj, për falsifikim të dokumenteve.
Ajo pretendon se është shkarkuar pa të drejtë nga detyra duke shkelur ligjin, me qëllim që të favorizoheshin persona të tjerë për pozicionin e punës që ajo mbante.
“Unë kallëzuesja Denisa Plaka, kam një kontribut prej 5 vitesh pa ndërprerje pranë Radio Televizion Shqiptar, që është duke u ‘përdhosur’ nga disa persona në shkelje të hapur me ligjin, me qëllime favorizimin e personave të tjerë, në lidhje me pozicionin e punës ku unë punoj. Këto veprime janë në shkelje të hapur të nenit 9 të Kodit të Punës dhe në shkelje të hapur me ligjin Nr. 10 221, datë 04.02.2010 “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”. Në mënyrë të padrejtë pala e kallzuar ka nxjerrë vendimin (urdhërin)Nr.376 te protokolluar me Nr.1744/1 Prot datë 31.05.2024 për pezullimit tim pa afat me pretendimin se nuk kam kontrolluar materialet përpara transmetimit, dhe më pas është nxjerr edhe vendimi për ndërprerjen e mardhënies së punës. Nëpërmjet këtij kallzimi unë kërkoj ndjekje penale për Drejtorin e përgjithshëm, për vendimin e kundraligjshëm të e shkarkimit nga puna të punonjëses Denisa Begolli (Plaka) në datë 14.06.2024, pasi nuk mori parasysh padinë në Gjykatën Administrative në datën 07.06.2024, e cila pezullon çdo vendim të këtij institucioni dhe pagesën e pagës deri në vendim të gjykatës për zgjidhjen e kërkesë padisë”, thuhet në kallëzim.
Vendimi për shkarkimin e Denisa Plakës është marrë nga Peza dhe mban datën 14 qershor dhe punonjësja është urdhëruar që të largohet nga detyra më 18 qershor.
Pak javë më parë në lidhje me shkarkimin, Denisa Plaka, në një prononcim për CNA, u shpreh se motivacioni i shkarkimit nuk qëndron, pasi gabimi që është bërë nuk ka qenë përgjegjësi e saj, por e regjisorit.
Plaka paralajmëroi se do të niste procedurat për një proces gjyqësor në lidhje me shkarkimin, pasi sipas saj gjithçka është e paligjshme. Ajo hodhi akuza të drejtpërdrejta edhe mbi Pezën.
“Këtë gjë po bëjnë me të gjithë punonjësit. Gjejnë arsye dhe kapen me njerëzit sepse duan që t’i heqin nga puna. Motivacioni në vendim nuk qëndron, pasi për gabimin që është bërë, detyra ka qenë e regjisorit dhe jo imja. Unë kam qenë në rolin e koordinatores. Fillimisht jam pezulluar nga puna më 31 maj për moskontroll të materialeve përpara transmetimit, detyrë që nuk më përkiste mua, por regjisorit. I jam drejtuar Këshillit Drejtues të RTSH-së me një shkresë më datë 3.06.2024, nga i cili nuk kam marrë asnjë përgjigje. Në datën 7.06.2024 kam paditur RTSH-në në gjykatë. Shkarkimi im është i paligjshëm, jo vetëm për arsyet e shkarkimit që nuk ekzistojnë, por edhe për faktin se për çështjen time duhet të flasë fillimisht gjykata. Padia e detyron RTSH-në të ndërpresë të gjitha procedurat deri në momentin që gjykata shprehet për rastin tim”, tha ajo.
Kreu i RTSH-së vijon me shkarkimet e punonjësve në këtë insititucion që paguhet me taksat e shqiptarëve.
Të gjithë shkarkimet ndaj profesionistëve, si gazetarë, regjisorë, teknikë, financierë dhe kameramanë, kanë nisur sapo Peza mori drejtimin e RTSH-së në qershor të 2023-shit./CNA