
Tiranë – Ndeshja e shumëpritur midis Shqipërisë dhe Serbisë, e zhvilluar në stadiumin “Arena Kombëtare”, është shoqëruar me incidente të shumta, që kanë çuar në disa arrestime dhe procedime penale.
Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan në flagrancë shtetasit D. I., 31 vjeç, dhe J. Ll., 29 vjeç, ndërsa 10 persona të tjerë u proceduan në gjendje të lirë, për prishje të rendit dhe qetësisë publike si dhe për hedhje të sendeve të forta në fushë gjatë ndeshjes.
Ndërkohë, një tjetër rast shqetësues është konstatuar nga shërbimet e sigurisë, ku punonjësi i Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike (SHRSF), shtetasi B. Ç., 45 vjeç, është arrestuar pasi u kap duke marrë para nga dy shtetas të Kosovës, me qëllim shmangien e kontrollit fizik. Dy shtetasit kosovarë janë proceduar gjithashtu në gjendje të lirë.
Policia e Tiranës thekson se do të vijojë me kontrolle dhe masa të rrepta për të garantuar sigurinë në ngjarje të tilla sportive dhe për të parandaluar çdo formë shkeljeje të ligjit.