
Qeveria ka hedhur për konsultim publik ndryshimet më të mëdha në 12 vite në ligjin “Për Nëpunësin Civil”, me qëllim hapjen e administratës publike ndaj profesionistëve nga sektori privat, si dhe riformatimin e sistemit të testimit dhe pagesës së punonjësve shtetërorë.
Sipas projektligjit të ri, deri në 50% e punësimeve të reja në administratë do të mund të bëhen nga jashtë shërbimit civil, në një përpjekje për të tërhequr ekspertë të kualifikuar që vijnë nga tregu privat apo institucione të tjera. Aktualisht ky kufi është vetëm 20%.
“Praktikisht, 1 në 2 pozicione vakante do të mund të pranojë kandidatë që nuk janë pjesë e shërbimit civil,” thuhet në relacionin zyrtar.
Testim i ri kombëtar për administratën
Një nga risitë kryesore është ndryshimi i mënyrës së testimit. Procesi nuk do të kryhet më nga Departamenti i Administratës Publike (DAP), por do të ngrihet një Komision Kombëtar për Testimin, me 7 anëtarë dhe mandat 5-vjeçar. Komisioni do të përfshijë përfaqësues nga qeveria, institucionet e pavarura dhe pushteti vendor, duke synuar standardizimin dhe transparencën e testimeve për të gjitha nivelet e administratës.
Paga, vjetërsia dhe shpërblimet
Projektligji parashikon gjithashtu ndryshime në strukturën e pagës, duke shtuar elementin e vjetërsisë së përgjithshme në punë, dhe jo vetëm në administratë. Përveç kësaj, do të vendoset një shpërblim vjetor që do të bazohet në vlerësimin e performancës individuale.
Në nenin 33 përcaktohet se institucioni publik do të mbajë përgjegjësi financiare në rastet kur një nëpunës civil dënohet për veprime gjatë ushtrimit të detyrës, përveç rasteve kur fajësia është personale.
Lëvizshmëri dhe kthim në detyrë
Ligji i ri lehtëson transferimet e nëpunësve civilë, përfshirë mundësinë për t’u dërguar për periudha më të gjata në organizata ndërkombëtare apo institucione të BE-së, në përputhje me perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në union.
Në rastet e rikthimit në detyrë pas fitimit të një gjyqi, nëpunësi nuk do të ketë më të drejtë të zgjedhë pozicionin, por do të caktohet në një funksion të së njëjtës kategori, duke shmangur bllokimin e institucioneve.
Masa të reja disiplinore
Projektligji shton edhe një fazë paralajmërimi përpara largimit nga puna, për të garantuar një proces disiplinor më të drejtë dhe për të shmangur penalizimet e menjëhershme.
Ky rishikim i ligjit synon të modernizojë administratën publike shqiptare, duke e afruar me standardet evropiane, ndërsa i jep hapësirë më të madhe profesionistëve të sektorit privat për të hyrë në shërbimin civil.







