Në përgjithësi Kosova i respekton më shumë të drejtat e punëtorëve në sektorin privat sesa Shqipëria që nuk ka një kulturë të mirfilltë dhe të paktën në media nuk ka as sindikata, ndërsa ato pak shoqata gazetarësh që ekzistojnë kanë më shumë trajtën e një ojq-je për qoka e udhëtime.
Në Kosovë prej vitesh tashmë aplikohet dy ditëshi i pushimit në javë në media, gjë që në Shqipëri nuk ndodh as në TV Publik, RTSH e as në mediat private më me emër, ku njerëzit shfrytëzohen si në një rend skllavopronar, duke e tejkaluar javën 40-orëshe, pa u paguar për orët shtesë. Ka një shprehje që ekziston rëndom mes gazetarëve edhe atyre më krenarëve për profesionin e tyre: ne jemi zezakë, s’kemi kurrë pushim. Dhe kjo jo për shkak se lajmi ndodh në çdo orë, por shpesh shumë shpesh nga shfrytëzimi dhe keqmenaxhimi pa kriter i punës dhe djersës së tyre.
Tashmë një media tjetër në Kosovë del pararojë duke shkurtuar edhe orarin e punës të premteve, një vendim për t’u përgëzuar.
Radio Dukagjini ka marrë një vendim të rëndësishëm duke u bërë mediumi i parë në vend që vendos të shkurtojë orarin e punës për të gjithë stafin e saj çdo të premte shkruan Telegraf.
Edita Doli, drejtoreshë e Radio Dukagjinit thotë se shumica e operatorëve teknikë do të punojnë vetëm katër orë, në vend të orarit të zakonshëm prej tetë orësh.
Ndërkohë, moderatorët do të vazhdojnë të realizojnë emisionet e tyre, të cilat, siç shtoi Doli, zgjasin deri në dy orë dhe me aq përfundon orari.
Ky shembull nuk është i rëndomtë, por është një tregues më shumë që tregon se Kosova ku tregu mediatik është relativisht disa dekada më i ri se në Shqipëri ndryshon shumë edhe pse natyrisht ka mangësitë e veta. P.sh RTK, tv publik ka sindikata që ngrenë zërin për çdo padrejtësi.
Atje ka një shoqatë gazetarësh me peshë, Asosacioni i gazetarëve (AGK) që ngre zërin edhe për gjëra që për ne në Shqipëri jane rutinë dhe i kemi pranuar.
Siç thotë edhe shprehja “zogjtë e lindur në kafaz” nuk e dinë ç’është liria!