
NGA Ing. Ardian Zhamo
(ka drejtuar për 20 vjet Ndërmarjen e Bonifikimit në Durrës dhe ndërtimin e Hidrovorit)
Hidrovori i zhvendosur është një çmenduri inxhinierike, e denjë për hetim. Kush e dha urdhrin? Cili inxhinier e projektoi? Kush dhe pse u ndërtua duke i ditur pasojat?
Hidrovori i Porto Romanos është ndërtuar mbi bazën e një studimi shkencor, duke përcaktuar pikën më të ulët të basenit ujëmbledhës të gjithë sipërfaqes.
Në këtë basen, kur nuk ka reshje, përllogariten rreth 10 milionë m³ ujë.
Kuota e ujit në hidrovor duhet të jetë në këtë periudhë -3.90 m nga niveli i detit, që do të thotë se, kur niveli fillon të rritet, pompat hyjnë me radhë në punë, me një sistem të komanduar sipas ngritjes së nivelit të ujit, i cili mban në tërheqje dhe shtytje të gjithë sasinë e ujit që vjen në hidrovor.
Hidrovori është llogaritur të largojë ujërat e Durrësit (ujërat e zeza) dhe ato të shiut.
Ky hidrovor përcjell ujërat e të gjithë kanaleve sekondare (14 të tilla) dhe terciare (me qindra). Kanali i ujërave të larta i qytetit transporton ujërat e kodrës në Porto Romano direkt në det, jo në hidrovor.
Kanali i ujërave të larta që shkarkon te Kovalishenca grumbullon ujërat nga Xhafzotaj, në Nish Tulla e Plepa, dhe derdhet në det.
Atëherë, pse përmbytemi?
– Kanalet sekondare nuk përcjellin ujë, sepse janë të bllokuara nga gëlqerë, dhera dhe tombino të ndërtuara nga persona të paautorizuar.
– Kanalet sekondare, në shumicën e rasteve, nuk ekzistojnë më.
Hidrovori i zhvendosur është një çmenduri inxhinierike, e denjë për hetim. Kush e dha urdhrin? Cili inxhinier e projektoi? Kush dhe pse u ndërtua duke i ditur pasojat? Etj, etj.
Pikat nevralgjike ku uji duhet të vërshojë në kanale dhe jo në shtëpi:
– Kanali te karburanti, te Ura e Dalanit, nga kanal me prerje tërthore 16 m² ka përfunduar në një kanal me dy tuba me diametër 800 mm – një “hinkë”. Ky kanal përcjell ujërat e plazhit në pjesën pas hekurudhës.
– Kanali pas shkollës “Beqir Çela”, është i bllokuar totalisht. Ky kanal përcillte ujërat e Shkozetit nga lagjja e Gjykatës së Apelit deri në qendër të Shkozetit; pjesa tjetër nga qendra shkarkon te Ura e Dalanit.
– Kanali që kalon përpara Oficinës së Marmitave: Kjo copë kanali, me tuba me diametër 2000 mm në një gjatësi rreth 60 m, ka çeduar, duke zvogëluar me rreth 70% tërheqjen e ujit dhe, si pasojë, kjo zonë përmbytet edhe me shiun më të vogël.
Zgjidhja është:
Pastrimi periodik i të gjithë rrjetit kullues, i cili duhet të jetë i gatshëm çdo datë 1 tetor të çdo viti.
Rivënia në punë urgjentisht e ish-hidrovori, duke investuar në rritjen e kapaciteteve.
Ndalimi, me masa administrative dhe penale, i hedhjes së mbeturinave dhe i bllokimit të kanaleve pa autorizim, etj.
V.O.
Njerëz, natyra ka ndryshuar dhe pasojat po i ndjeni drejtpërdrejt. Mos i bllokoni kanalet me plehra. Mos ndërtoni mbi kanale. Pastroni secili mjedisin tuaj dhe përreth.
Sot, kanalet dhe lumenjtë janë shndërruar në një pisllëk të paparë.
Siç thotë një mik imi: “Ku ka kallama, ka fukarallëk”./ DITA






