
reu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar me tone të ashpra ndaj figurave të tjera të së djathtës, pasi u pyet pse nuk i fton në protesta ish-drejtues të PD-së si Lulzim Basha, Bamir Topi, Astrit Patozi apo Enkelejd Alibeaj.
Gjatë deklaratës së tij, Berisha i cilësoi këto figura si “pseudointelektualë”, duke iu referuar një interviste të dhënë prej tij në vitin 1990.
“Po flet për intelektualë apo pseudointelektualë? Kthehu në vitin 1990 dhe lexo intervistën që kam dhënë në revistën ‘Drita’, ku kam bërë dallimin mes intelektualëve dhe pseudointelektualëve. Pseudointelektualët janë fatkeqësia e kombit,” u shpreh Berisha.
Akuza për interesa personale
Berisha deklaroi se Partia Demokratike u ka dhënë mundësi këtyre figurave politike, por sipas tij, ato janë përdorur për interesa personale.
“A nuk u dha kjo parti çdo mundësi? Dhe për çfarë e përdorën? Mirësitë e Bamir Topit ishin pronat e tij. Te Lulzim Basha, pasurimi i tij,” tha ai.
Sa i përket figurave të tjera, kreu i PD u shpreh shkurt, duke lënë të kuptohet se nuk i konsideron faktorë të rëndësishëm politikë.
“Për atë tjetrin… nuk është fare. Pyet të tjerët që u morën me fushatë,” shtoi Berisha.
Deklaratat vijnë në një moment tensioni të vazhdueshëm brenda opozitës, ndërsa Partia Demokratike vijon përplasjet politike dhe organizimin e protestave kundër qeverisë.






