Fillimin e vitit shkollor 2023 u aktivizua një paketë sigurie në shkolla nga asokohe Ministri i Punëve të Brendshme, Taulant Balla dhe ajo e Arsimit, Evis Kushi.
Paketa parashikonte që policia vendore dhe bashkitë ata që do të përcaktonin perimetrin e sigurisë prej 50 metrash rreth gardhit kufizues të secilës shkollë në të gjithë vendin. Për muaj me radhë në shkolla u shtua siguria dhe u goditën grupe kriminale që trafikonin drogë rreth institucioneve arsimore.
Por një vit më pas kjo paketë duket se është tretur. Shtatori i vitit 2024 nuk e gjeti më Ballën ministër e po ashtu edhe siguria e promovuar prej tij u harrua.
Ministri që e pasoi Ervin Hoxha dukshëm ka të tjera prioritete.
Dhe asnjë prej tyre nuk përfshin oficerin e sigurisë në shkolla, si ndërlidhës ndërmjet shkollës dhe Policisë së Shtetit, që duhet të raportonin dhe menaxhonin në kohë dhe me përgjegjësi të gjitha situatat që mund të rrezikojnë apo cenojnë sigurinë publike.
“Dua ta siguroj publikun, prindërit, gjyshërit, por edhe vetë nxënësit, se do të bëjmë gjithçka që kjo Paketë e re e Sigurisë në Shkolla të bëjë një ndryshim të madh, dhe e nesërmja të mos ngjasojë me të tashmen.” – deklarohej shtatorin e 2023, por sot dy muaj e gjysmë pas fillimit të shkollës nuk gjen këmbë oficeri sigurie në mjediset rrethuese të institucioneve arsimore dhe tragjedia që ndodhi sot në një shkollë në mes të Tiranës u shfrytëzua nga opozita për ta cilësuar paketën, propagandë.
Nëse një oficer sigurie do të ishte aktiv sot në mesditë pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë, me shumë gjasë konflikti mes adoleshentëve nuk do të kishte marrë përmasat tragjike.
Sot një djalë 14-vjeçar doli nga shkolla dhe nëna e tij nuk do ta shohë të kalojë pragun e shtëpisë.
Martini i vogël nuk do të ulet më në bankën e tij në klasën e 9-të. Ai nuk do ta shqelmojë më topin në ekipin e tij të futbollit.
Nuk ishte as dita e tij për të ikur dhe as faji i tij.
Nëse një fëmijë vritet me thikë në zemër pak metra larg institucionit të dijes, faji është gjithmonë dhe vetëm i të rriturve; atyre që rrisin monstra dhe atyre që duhet t’i mbrojnë dhe edukojnë/AIA.AL