Një studim i ri shkencor ka zbuluar arsyet pse rajoni i Mesdheut, përfshirë Italinë, përballet gjithnjë e më shpesh me përmbytje ekstreme që shkaktojnë dëme të mëdha materiale e njerëzore.

Hulumtimi, i publikuar në revistën Scientific Reports, analizon kushtet që çuan në përmbytjet shkatërruese të majit 2023 në Emilia-Romagna, Itali, ku humbën jetën 17 persona dhe mijëra të tjerë u zhvendosën, me dëme që kapën vlerën e 8.5 miliardë eurove.

Sipas studiuesve, përmbytjet e Mesdheut janë rezultat i një kombinimi faktorësh, jo vetëm i reshjeve të dendura, por edhe i topografisë, lagështisë së tokës, mënyrës së përdorimit të saj dhe ndikimit të nivelit të detit.

Efekti “cul-de-sac” që bllokon shirat

Studiuesit zbuluan se përmbytjet e vitit 2023 në Itali nuk u shkaktuan nga një stuhi e vetme ekstreme, por nga akumulimi i reshjeve për disa ditë me radhë, i favorizuar nga struktura malore e rajonit.
Ky fenomen, të cilin ata e quajnë “efekti cul-de-sac”, ndodh kur malet bllokojnë lagështinë që vjen nga Deti Adriatik, duke e “burgosur” shiun në një zonë të kufizuar.

Një ciklon i qëndrueshëm mbi rajon e përkeqësoi situatën, duke shkaktuar përmbytje të rralla dhe të jashtëzakonshme.
Sipas autorëve, i njëjti efekt ka ndikuar edhe në përmbytjet e vitit 2024 në të njëjtën zonë.

“Analiza jonë tregon se ciklonet e qëndrueshme që shkaktuan përmbytjet në Emilia-Romagna nuk janë unike. Edhe zona të tjera të Mesdheut me gjeografi të ngjashme rrezikojnë të përballen me të njëjtat kushte,” – shpjegon Enrico Scoccimarro, shkencëtari kryesor i Qendrës Euro-Mesdhetare për Ndryshimet Klimatike (CMCC).

Përmbytje gjithnjë e më të shpeshta me ndryshimet klimatike

Sipas studiuesve, ngrohja globale po e bën klimën mesdhetare më të lagësht dhe më të paparashikueshme, duke rritur ndjeshëm probabilitetin e përmbytjeve ekstreme.
Në këtë kuadër, ata propozojnë zhvillimin e sistemeve të avancuara të paralajmërimit të hershëm, që mund të parashikojnë stuhitë në një shkallë sezonale.

Një nga risitë e studimit është koncepti i ri i “cyclone density persistence”, një tregues që ndihmon meteorologët të identifikojnë ciklonet e qëndrueshme që mund të sjellin mot ekstrem në zona të cenueshme.

“Ky është hapi i parë drejt një sistemi paralajmërimi për përmbytjet në shkallë sezonale,” – thotë Scoccimarro.
“Qëllimi ynë është të përmirësojmë parashikimet për reshjet ekstreme dhe të ndihmojmë komunitetet të jenë më të përgatitura për fatkeqësi klimatike.”

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu