NGA Deborah Nicholls-Lee, BBC

Dikur gruaja më e përbuzur në Europë, Maria Antoneta u shënjestrua si një libertine pa tru, një konspiratore dhe një shpërdoruese e pamatur – dhe më pas u ekzekutua publikisht. Tani një ekspozitë madhore heton disa nga mitet që e rrethojnë atë.

Të gjitha sytë do të jenë mbi ty”, e paralajmëroi Maria Tereza, Perandoresha e Austrisë, në prill 1770, teksa vajza e saj, arqidukesha 14-vjeçare Maria Antonia, po përgatitej të martohej me mbretin e ardhshëm Louis XVI të Francës në Pallatin e Versajës. Por vëzhgimi që do të përjetonte Marie Antoinette, siç do të njihej më pas, ishte shumë më mizor nga ç’pritej. Ajo u shpall një libertine, një konspiratore dhe një shpërdoruese e pamatur, mënyra e shfrenuar e jetesës së së cilës po çonte vendin drejt falimentimit – akuza që çuan në Revolucionin Francez dhe në një spektakël të rrallë e tronditës: ekzekutimin publik të një mbretëreshe.

 

E martuar me Mbretin Louis XVI në moshën 14-vjeçare, Marie Antoinette u vëzhgua – dhe u be objekt shpifjeje – gjatë gjithë jetës së saj (Kredi: Victoria and Albert Museum, London).

Martesa dhe mitet
E martuar me Louis XVI në moshën 14-vjeçare, Marie Antoinette u vëzhgua dhe u gjykua gjatë gjithë jetës së saj. Fascinimi me të nuk është shuar kurrë, por gjithnjë e më shumë po shtrohet pyetja: A e meritonte ajo përbuzjen, apo ishte një martire mes interesave të kundërta, e shkatërruar nga gënjeshtrat? Për Dr Sarah Grant, kuratore e ekspozitës Marie Antoinette Style që hapet më 20 shtator në Muzeun Victoria & Albert, ajo është “mbretëresha më e modës, më e vëzhguara dhe më kontroversja në histori”.

Një nga mitet më të famshme është fjalia e saj e supozuar “le të hanë ëmbëlsira”, një reagim fëminor ndaj mungesës së bukës. Në fakt, kjo shprehje figuron në kujtimet e Rousseau-së të vitit 1765, kur ajo ishte vetëm 10 vjeç dhe ende në Austri, prandaj nuk mund të kishte dalë nga goja e saj. Po ashtu, “skandali i varës së diamantit” (1785–1786) – një varëse me mbi 600 diamante e porositur në emër të saj – e dëmtoi rëndë reputacionin e mbretëreshës, edhe pse ajo u shpall e pafajshme në gjyq.

Filmi i Sofia Coppola-s i vitit 2006 paraqiti Marie Antoinette (Kirsten Dunst) në gjithë lavdinë e saj të shfrenuar (Kredi: I Want Candy LLC dhe Zoetrope Corp).

Jeta e shfrenuar dhe titulli “Madame Déficit”
Stili i saj i shfrenuar – festat luksoze, lojërat e fatit, moda ekstravagante – binin në sy në një vend ku populli vuante urinë. Fustanet madhështore me korniza të gjera dhe flokët e lyer në formë kullash u kopjuan gjerësisht, duke frymëzuar më vonë yje si Madonna dhe Rihanna, si edhe stilistë si Dior apo Vivienne Westwood.

Megjithatë, nofka “Madame Déficit” ishte e padrejtë. Barra e madhe financiare e Francës vinte nga luftërat, jo nga shpenzimet e saj personale. “Franca shpenzoi 11.25 miliardë dollarë vetëm për Luftën e Pavarësisë së Amerikës, ndërsa buxheti i garderobës së saj ishte sa 1 milion dollarë sot”, thekson Dr Grant.

Pantoflat prej mëndafshi me rruaza, të veshura nga mbretëresha, janë ndër sendet e ekspozuara në ekspozitën “Marie Antoinette Style” në V&A (Kredi: CC0 Paris Musées / Musée Carnavalet, Histoire de Paris).
Pantoflat prej mëndafshi me rruaza, të veshura nga mbretëresha, janë ndër sendet e ekspozuara në ekspozitën “Marie Antoinette Style” në V&A (Kredi: CC0 Paris Musées / Musée Carnavalet, Histoire de Paris).

Filantropia 
Shumë shpesh, bamirësia e saj harrohet. Marie Antoinette ripërdorte garderobën, mbështeste shërbëtorët, refuzonte dhuratat e shtrenjta të bashkëshortit dhe ndihmonte bamirësitë. Ajo adoptoi edhe disa fëmijë, përfshirë Jean Amilcar-in nga Senegali, të cilin e liroi nga skllavëria. Autorja Melanie Burrows e përshkruan atë si “të mirë, bujare dhe të qëllimshme, larg imazhit të ‘idiotes pa tru’ që shpesh i vishet”.

Armiqësitë politike dhe thashethemet mizogjiniste
E ardhur nga Austria, ajo u akuzua se i përcillte sekrete ushtarake vendit të origjinës. U përqesh me epitete si “L’Autri-chienne” (një lojë fjalësh mes “austriake” dhe “k…”) dhe u akuzua padrejtësisht për orgji, marrëdhënie lesbike e madje incest. “E gjitha kjo ishte e nxitur nga mizogjinia,” thotë Dr Grant. Në fakt, ajo ishte mjaft e ndrojtur, pinte rrallë, flirtimet i kishte të lehta dhe nuk dëshironte të shihej nudo as nga shërbëtoret.

Portret nga Élisabeth-Louise Vigée Le Brun (Kredi: Château de Versailles, Dist. Grand Palais RMN / Christophe Fouin).

Nëna dhe viktima
Marie Antoinette ishte një nënë e përkushtuar: ushqeu me gji fëmijët e saj dhe jetoi me ta në një rezidencë rurale, ndryshe nga rritja e ftohtë që kishte marrë vetë. Por figura e saj u kthye në simbolin e gjithçkaje që duhej ndryshuar në Francë. Ekzekutimi i saj në 1793, në një këmishë të bardhë me flokët e prerë shkurt, u bë një akt simbolik për revolucionarët.

Megjithatë, ndikimi i saj mbeti i gjallë: u përhap moda e qaforeve të kuqe që simbolizonin prerjen e gijotinës dhe prerjet e flokëve “si gjemba iriqi”. Sot, shumë e shohin si një figurë të padrejtësisht të demonizuar, por gjithashtu të admiruar për stilin dhe kurajën.

Ekspozita “Marie Antoinette Style” mund të vizitohet në Muzeun Victoria & Albert në Londër nga 20 shtatori 2025 deri më 22 mars 2026.

Një ilustrim që paraqet mbretëreshën si një harpi mitologjik, duke grisur të drejtat e njeriut dhe kushtetutën (Kredi: CC0 Paris Musées/ Musée Carnavalet – Histoire de Paris).

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu