
Detaje të reja janë zbardhur lidhur me vrasjen e 57-vjeçarit Petrit Ndou, ngjarje e ndodhur gjatë natës në aksin rrugor Mamurras–Krujë, në zonën e Bushneshit.
Gazetarja Dorjana Bezat raporton se autori i dyshuar, Andi Vokri, e ka goditur viktimën me sende të forta, konkretisht me çekiç, ndërsa konflikti dyshohet se ka nisur për motive të dobëta.
Sipas burimeve policore, debati mes dy personave ka filluar fillimisht me fjalë, ku njëri prej tyre i është drejtuar tjetrit me shprehjen:
“Pse i jep makinës kështu?! Do bëjmë aksident”.
Konflikti verbal ka përshkallëzuar më pas në dhunë fizike, duke sjellë pasojë fatale për 57-vjeçarin.
Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se:
“Rreth orës 00:40, në aksin rrugor ‘Thumanë–Krujë’, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, është goditur me sende të forta dhe për pasojë ka humbur jetën shtetasi P. N., 57 vjeç”.
Po sipas policisë, autori i dyshuar si dhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni për ngjarjen janë shoqëruar, ndërsa për shkak të hetimit nuk bëhen publike identitetet e tyre.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, ndërsa në përfundim të veprimeve hetimore pritet të jepet informacion më i detajuar.






