Finlanda kryeson edhe një herë Raportin Botëror të Lumturisë, duke rezultuar si vendi më i lumtur në botë për të tetin vit radhazi.

Raporti mat mbështetjen sociale, të ardhurat, shëndetin, lirinë, bujarinë dhe nivelin e korrupsionit për të përcaktuar lumturinë kombëtare të një vendi. Por lind pyetja pse Finlanda është vendi më i lumtur në Botë?

Dy faktorë kryesorë i ndihmojnë finlandezët të gjejnë lumturinë në jetë: një nivel i lartë besimi te institucionet dhe kolegët, si dhe një fokus i fortë në ekuilibrin punë-jetë.

Një ndër shprehjet, që përfaqëson mentalitetin finlandez, rreth gjetjes së lumturisë dhe kënaqësisë në punë është se “Askush nuk lind farkëtar”. Në thelb, do të thotë se “askush nuk lind si profesionist” dhe “ka gjithmonë gjëra për të mësuar.”

Shprehja ka për qëllim t’i fuqizojë njerëzit, që të dëshirojnë të bëjnë punë shumë të mira, edhe nëse ata janë ende duke mësuar.

Ekspertët pajtohen se të kesh një mentalitet rritjeje në punë, ose të besosh se mund të përmirësosh aftësitë e tua me praktikë, është një cilësi shumë e mirë. Të bërit e gabimeve në procesin e të mësuarit, është diçka e mirë, për sa kohë që përdorni ato përvoja dhe çdo reagim, për t’u përmirësuar.

Njerëzve në 143 vende u kërkohet të vlerësojnë jetën e tyre në një shkallë nga zero në 10, ku 10 përfaqëson jetën e tyre më të mirë të mundshme.

Finlanda vijon të mbetet në vendin e parë me një rezultat mesatar prej 7.75 , e ndjekur nga Danimarka, Islanda dhe Suedia, ndërsa Afganistani mbante vendin e fundit me rezultate 1.36.

Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Oksfordit dhe redaktori i Raportit të Lumturisë Botërore, Jan-Emmanuel De Neve, tha se ndër faktorët që kontribuan në mirëqenien e njerëzve ishte PBB për frymë, shpërndarja e pasurisë, një shtet i mirëqenies që ofron një jetëgjatësi të shëndetshme.

“Ata kanë shumë burime, PBB, dhe e ndajnë atë në mënyrë të barabartë. Ata gjithashtu e rishpërndajnë këtë nivel të të ardhurave i cili ndihmon njerëzit se përndryshe bien nga “anija”. Dhe kjo u jep atyre siguri, ofron stabilitet emocional, e cila është shumë e rëndësishme që të ndjehen të shëndetshëm. Stili i jetesës , një sistem i kujdesit shëndetësor, i cili është falas, dhe më pas, mbështetja sociale, si të tjerët në komunitetin e tyre, por edhe tek institucionet ndikojnë gjithashtu”.

De Neve shprehet se raporti, i cili këtë vit u fokusua në temën e “kujdesit dhe ndarjes”, zbuloi se ndarja e vakteve me të tjerët ishte e lidhur fort me mirëqenien në të gjitha rajonet globale.

“Është një gjë e mirë të vihen në qendër të vëmendjes vende si Kosta Rika dhe Meksika, sepse ata po arrijnë nivele të larta të kënaqësisë së jetës në popullatën e tyre. Kështu që ata nuk kanë domosdoshmërisht të ardhurat e larta për frymë, por një grup lidhjesh familjare, kështu që komuniteti i tyre i afërt është shumë i fortë”.

Gjithashtu në raport tregohet një rritje e përgjithshme e ankthit, shqetësimit dhe stresit në mbarë botën.

Raporti vjetor i Lumturisë Botërore, i nisur në vitin 2012 për të mbështetur qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, bazohet në të dhënat nga kompania amerikane e kërkimit Gallup, të analizuara nga një ekip global që tani drejtohet nga Universiteti i Oksfordit./Klan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu