Qeveria ka vendosur të heqë skemën e mbështetjes për naftën pa taksa, nga e cila përfitonin fermerët prej rreth pesë vitesh, duke i detyruar tashmë të blejnë karburantin me çmim tregu.

Ky ndryshim pritet të rrisë ndjeshëm kostot e prodhimit bujqësor, duke reflektuar menjëherë në çmimet e produkteve bazë për konsumatorët.

Fermeri Alban Çakalli u shpreh se politika të tilla duhet të ndërtohen në bashkëpunim me fermerët dhe jo të imponohen në mënyrë të njëanshme.

“Politikat po vijnë nga lart-poshtë dhe jo nga poshtë-lart”, tha ai, duke paralajmëruar se ndikimi do të jetë i drejtpërdrejtë në prodhim.

Sipas tij, në sezonin e ardhshëm pritet ulje e prodhimit vendas për kultura si gruri, misri, perimet dhe produkte të tjera që varen nga përdorimi i naftës për punimin e tokës.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo situatë do të çojë në rritje të çmimeve jo vetëm për prodhimet vendase, por edhe për produktet e importit, pasi tregu do të mbushet me mallra më të shtrenjta nga jashtë.

Fermerët i bëjnë thirrje qeverisë të rishikojë skemën e mbështetjes, duke theksuar se aktualisht përfitojnë vetëm një pjesë e vogël e tyre, ndërkohë që në vend numërohen rreth 350 mijë fermerë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu