Dy mace shtëpiake me karakter të kundërt. Marrë nga profili insta: @tofi_and_coco_diary

Disa mace janë të qeta, ndërsa të tjera mjaullijnë më shumë për të tërhequr vëmendjen. Dallimi mes tyre mund të jetë i përcaktuar në gene.

Nëse keni pasur në shtëpi me më shumë se një mace thotë studimi i publikuar nga BBC, e dini sa të ndryshme janë në karakter. Njëra mund të mjaullijë për ushqim, të bëjë purr-purr me zë mbi prehrin tuaj dhe të presë vizitorët te dera. Ndërsa një tjetër rri në distancë, më e përmbajtur dhe frikacake.

Pse, pra, disa mace janë më shoqëruese e të zëshme, ndërsa të tjera më të heshtura? Një studim i udhëhequr nga studiuesja Yume Okamoto në Universitetin e Kiotos sugjeron se përgjigjja mund të shpjegohet nga gjenetika.

Studiuesit i kërkuan pronarëve të maceve në Japoni të plotësonin një pyetësor rreth sjelljes së kafshës dhe të dërgonin një tampon ADN-je nga faqja e brendshme e gojës së maces. Pyetësori përfshinte, ndër të tjera, edhe pyetje mbi mjaullimat dhe purrr-imet.

Vëmendja u përqendrua te gjeni i receptorit të androgjenit (AR), i vendosur në kromozomin X. Ky gjen, i cili ndihmon trupin të reagojë ndaj hormoneve si testosteroni, përmban një sekuencë ADN-je që përsëritet. Numri i këtyre përsëritjeve ndikon në ndjeshmërinë ndaj hormoneve: sa më i shkurtër segmenti, aq më i ndjeshëm është receptori.

Në specie të tjera, si njerëzit dhe qentë, ky variant më i shkurtër është lidhur me agresivitet më të lartë. Edhe tek macet u panë prirje të ngjashme.

Nga 280 mace të sterilizuara, ato me variantin e shkurtër të gjenit AR purrr-onin më shpesh. Meshkujt me këtë variant mjaullinin më shumë për të kërkuar ushqim apo për të dalë jashtë. Femrat me të njëjtin variant ishin më agresive ndaj të panjohurve. Ndërkohë, variantet më të gjata e më pak aktive të këtij gjeni përkonin me mace më të qeta—sidomos tek racat pedigre, të përzgjedhura për butësinë e tyre.

Afërsia me njerëzit nuk e zbut gjithmonë sjelljen

Procesi i zbutjes besohet të ketë shtuar sjelljet vokale te macet, ndaj duket paradoksale që varianti gjenetik më “i zëshëm” haset edhe tek specie të egra.

Ky studim sfidon idenë se përzgjedhja njerëzore çon gjithmonë drejt butësisë. Ai sugjeron se agresiviteti mund të jenë ende të dobishëm—sidomos në mjedise të stresuara apo me pak burime, përfshirë edhe ato brenda shtëpisë.

Disa kafshë nuk janë përzgjedhur nga njerëzit, por thjesht jetojnë pranë nesh për shkak të burimeve. Pulëbardhat urbane, për shembull, janë bërë më të guximshme dhe më agresive në qytete. Bashkëjetesa nuk i ka bërë më të buta—në fakt, shpesh janë përshkruar si “kriminelë urbanë” që rrëmbejnë ushqimin e kalimtarëve.

Gjenet dhe mjedisi: një balancë që formëson sjelljen

Studime nga Universiteti Liverpool John Moores tregojnë se pulëbardhat urbane janë më pak të frikësuara dhe më grindavece se ato rurale. Në kushte konkurrimi, sjelljet më të vendosura favorizohen.

Po kështu, gjetjet e Okamoto etj. sugjerojnë se variantet gjenetike që nxisin mjaullimat mund të ndihmojnë macet të tërheqin vëmendjen në mjedise të vështira. Por të njëjtat tipare mund të shfaqen edhe si agresivitet.

Variacioni është thelbësor për evolucionin: pa të, speciet nuk mund të përshtaten. Për macet, kjo do të thotë se nuk ka një temperament ideal, por një gamë e gjerë sjelljesh që mund të jenë të dobishme në rrethana të ndryshme.

Nga mjaullimat e maceve tek klithmat e pulëbardhave—jetesa pranë njerëzve nuk prodhon gjithmonë butësi.

Ndonjëherë, këmbëngulja është çelësi.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu