
Kryetari i Partisë Socialdemokrate Tom Doshi ka falënderuar të gjithë mbështetësit e tij të cilët e votuan në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, nga ku partia që drejton fitoi tre mandate deputetësh.
Nëpërmjet një mesazhi në rrjetet sociale, Doshi shkruan se “sot dua të falenderoj nga zemra 50 mijë shqiptarët, nga gjithë qarqet e vendit, Shkodër, Kukës, Tiranë, Korçë, Fier, Durrës, Elbasan, Lezhë, Dibër, Vlorë, Berat, Gjirokastër e Diasporë të cilët na besuan dhe votuan. Ju jeni forca jonë dhe arsyeja pse vazhdojmë të ecim përpara, mbi të gjitha për të ba ma t’mirën për ju”.
Doshi nënvizoi më tej se “pavarësisht një lufte të ashpër nga të gjitha forcat politike, pavarësisht shumicës së mediave e portaleve kundër, ne ia dolëm!”.
“Ne ia dolëm me 50 mijë vota, me një numër të jashtëzakonshëm anëtarësh dhe aktivistësh vullnetarë, dhe me 3 deputetë të legjislaturës së ardhshme, të cilët do jenë zëri juaj në Parlament!”, shkruan Dodhi.
Sipas Doshit “Partia Socialdemokrate dhe unë do punojmë pa u lodhun e pa u ndalun për ta bërë realitet kontratën tonë socialdemokrate, kontratën tonë me votuesit, me shtresat në nevojë, me njerëzit e vujtun, me ata që kanë nevojë të dëgjohen e të përkrahen!”.
“Një falenderim i veçantë i shkon votuesve të mi besnikë në Shkodër, Vaun e Dejës, Malësinë e Madhe, Pukë e Fushë Arrëz”, shkruan Doshi në rrjetet sociale.
I zgjedhur deputet në qarkun e Shkodrës, Doshi e përmbyll reagimin duke nënvizuar se “Shkodra, Malësia e Madhe, veriu do jenë tan jetën shtëpia jeme. E gjithë Shqipëria ashtë shtëpia jonë, ku socialdemokratët kanë gjetun jo vetëm përkrahje, por kanë marrë respektin që meritojnë”.