
Edhe pse Gjykata Kushtetuese pezulloi zhvillimin e zgjedhjeve lokale në Tiranë, Partia Socialiste po vijon fushatën e saj dhe kontaktet me qytetarët.
Kandidatja e PS për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, zhvilloi sot një takim me banorët e Njësisë Administrative nr. 2, ku prezantoi disa nga idetë e saj për zhvillimin urban të kryeqytetit, përmirësimin e transportit publik dhe krijimin e hapësirave më miqësore për komunitetin.
Në fjalën e saj, Manastirliu theksoi se Tirana ka nevojë për një koncept të ri urban që sjell “më shumë gjelbërim, hapësira për këmbësorët dhe vende lojërash për fëmijët”.
“Do të kemi një koncept të ri për blloqet e banimit, duke pasur më shumë hapësirë për të ecur dhe për të krijuar më shumë gjelbërim brenda lagjeve, me konceptin e super blloqeve që krijojnë mundësinë e lëvizjes së këmbësorëve dhe të qarkullimit që prioritizon ecjen në qytet”, tha ajo.
Kandidatja socialiste foli gjithashtu për çlirimin e hapësirave publike, si pjesë e një procesi që, sipas saj, është në funksion të përmirësimit të jetës së përditshme të qytetarëve.
“Kemi filluar një operacion të çlirimit të hapësirave publike në qytet. Kemi arritur më shumë se 1500 pika që janë çliruar tashmë, por nuk duam ta konsiderojmë këtë si një operacion në dëm të dikujt, por në të mirën e përbashkët. Si ta bëjmë Tiranën më të jetueshme, si t’i krijojmë hapësirat më të mira për fëmijët tanë dhe për të moshuarit, si të harmonizojmë bashkëjetesën mes komunitetit dhe biznesit”, u shpreh Manastirliu.
Në takim, banorët ngritën shqetësime për trafikun e rënduar dhe cilësinë e transportit publik, për çka Manastirliu tha se është e nevojshme një rishikim i plotë i sistemit të lëvizjes urbane.
“Ka shumë për të bërë për transportin publik që ne duam të shfrytëzohet edhe më shumë, për të lehtësuar trafikun dhe për ta bërë jetën në Tiranë më të mirë,” theksoi ajo.
Në përmbyllje të takimit, Manastirliu nënvizoi se Partia Socialiste mbetet e përkushtuar për të vijuar punën dhe kontaktin me qytetarët, pavarësisht situatës së krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Sot, më shumë se kurrë, Tiranës i duhet një ekip që punon me zemër, që zhvillon qytetin me ritmin që po zhvillohet Shqipëria,” tha ajo.