JMazhoranca socialiste ka përgatitur draftin e parë për një ligj të posaçëm mbi referendumet, ndërsa paralajmëron edhe ndryshime të tjera të rëndësishme, përfshirë “tkurrjen” e Kuvendit.

Në një konferencë për shtyp, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, bëri të ditur se drafti do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë konsultimi përpara se të depozitohet në Kuvend.

Sipas tij, do të zhvillohen tryeza konsultative me juristë, akademikë, studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me synimin për të ndërtuar një projekt sa më të plotë dhe gjithëpërfshirës.

Balla theksoi se referendumi është një “ushtrim i drejtpërdrejtë i sovranitetit të popullit”, duke nënvizuar nevojën për futjen edhe të referendumit konsultativ. Ky mekanizëm do t’i lejojë qytetarët të japin mendimin e tyre për çështje të caktuara, përfshirë edhe marrëveshje ndërkombëtare, pa pasur detyrim ligjor për zbatim.

Sipas draftit fillestar, parashikohen disa kategori referendumesh, përfshirë referendumin e përgjithshëm për shfuqizimin ose miratimin e ligjeve të caktuara, si dhe referendumin vendor, që u jep mundësi qytetarëve në nivel bashkie apo qarku të vendosin për çështje të qeverisjes lokale.

Balla sqaroi gjithashtu se ndryshimet kushtetuese kërkojnë miratimin me të paktën dy të tretat e votave në Kuvend, përpara se të kalojnë në referendum.

Mazhoranca është shprehur e hapur për dialog me opozitën për këtë nismë, ndërsa drafti pritet të diskutohet në disa tryeza përpara se të marrë formën përfundimtare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu