
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë dakordësuar për mocionin me debat për masat kundër krimit të organizuar gjatë seancës së nesërme në Kuvend, pas kërkesës së PD në Konferencën e Kryetarëve.
Mazhoranca kërkoi që debati të shtyhej për një sesion tjetër parlamentar, ndërsa si përfundim u vendos që të zhvillohet gjatë seancës së nesërme, si pikë e fundit në rendin e ditës, gjë që është kundërshtuar nga PD.
Njoftimi zyrtar i Kuvendit
Në drejtimin e Kryetarit, z. Niko Peleshi, u zhvillua sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.
Pika e parë dhe e dytë e rendit të ditës ishin shqyrtimi i projektprogramit të punës së Kuvendit për periudhën 1 Dhjetor-26 Dhjetor 2025 dhe shqyrtimi i projektkalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 1 Dhjetor-19 Dhjetor 2025.
Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve nuk arriti mirëkuptim dhe çështja i kaloi seancës plenare.
Pika e tretë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i kërkesës së Kryetarit të Komisionit të përhershëm për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, “Për ngritjen e nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik” pranë Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat.
Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve miratoi kërkesën në fjalë.
Pika e katërt e rendit të ditës ishte shqyrtimi i kërkesës së një grupi deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për zhvillim të mocionit me debat “Për masat e marra nga Qeveria për luftën me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar”.
Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve me mirëkuptim vendosi që mocioni me debat të zhvillohet në senacën plenare të datës 18 Dhjetor dhe koha e debatit do të jetë 120 minuta.







