
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të zhvillojë të shtunën një mbledhje të zgjeruar me praninë e kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesve të institucioneve shtetërore. Në axhendë parashikohen fjalë hapëse nga Rama dhe Taulant Balla, si dhe raportime nga përfaqësues të institucioneve dhe prezantimi i strategjisë së komunikimit të grupit.
Takimi vjen në një moment tensioni brenda socialistëve, pas përplasjes publike mes Ballës dhe Elisa Spiropalit lidhur me mungesën e kësaj të fundit në seancën për imunitetin e Belinda Ballukut. Edhe pse nuk është pjesë zyrtare e axhendës, kjo çështje pritet të jetë në qendër të diskutimeve dhe të sjellë debate brenda grupit parlamentar.
Ndërsa sot, një ditë pas prezantimit të draftit për referendumet, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, zhvilloi një takim në zyrën e kryeministrit Edi Rama, ku fokusi kryesor ishte strategjia e komunikimit për këtë nismë. Në takim morën pjesë edhe zv/kryeministrja Albana Koçiu, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, si dhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili. Ndërkohë, gjatë paradites, Rama pritet të zhvillojë një tjetër takim me ministren Delina Ibrahimaj dhe stafin e saj.



