Zëdhënësja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erjona Ismaili, ka bërë publike kërkesën zyrtare të depozituar pranë Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, për marrjen e masave disiplinore ndaj deputetëve të opozitës, pas incidenteve të rënda të ndodhura gjatë seancës plenare të datës 18 dhjetor 2025.

Sipas Ismailit, seanca plenare u shoqërua me akte të përsëritura dhune, përfshirë hedhjen e lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta drejt Kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Ajo deklaroi se, bazuar në pamjet filmike dhe materialet e administruara, këto veprime kanë qenë të mirëorganizuara dhe të parapërgatitura nga drejtues dhe deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, si dhe nga deputetë të Partisë së Lirisë dhe grupeve aleate.

Nga ora 09:52 e datës 18 dhjetor, një grup deputetësh, sipas deklaratës, janë drejtuar me dhunë drejt foltores së Kuvendit dhe vendeve të rezervuara për Kryetarin e Kuvendit dhe ministrat, duke bllokuar zhvillimin normal të seancës dhe duke goditur punonjës të Gardës së Republikës. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në cilësinë e drejtuesit të seancës, ka zbatuar masat disiplinore të parashikuara në Rregulloren e Kuvendit, përfshirë përjashtimin nga seanca të disa deputetëve, vendime që sipas PS nuk janë respektuar.

Në kërkesën zyrtare, Grupi Parlamentar i PS kërkon masa të ndryshme disiplinore, që variojnë nga përjashtimi për 10, 30 dhe deri në 60 ditë nga pjesëmarrja në seanca plenare dhe komisione parlamentare, për deputetë të ndryshëm të opozitës. Mes shkeljeve të konstatuara përmenden përdorimi i lëndëve piroteknike, dhuna ndaj punonjësve të Gardës së Republikës, dëmtimi i pajisjeve të Kuvendit, përdorimi i gjuhës joparlamentare dhe bllokimi i foltores.

Gjithashtu, në deklaratë theksohet se për disa nga veprimet, përfshirë goditjen e punonjësve të Gardës së Republikës, i takon Prokurorisë të vlerësojë nëse përbëjnë vepra penale dhe të nisë procedurat përkatëse.

Kërkesa e Grupit Parlamentar të PS bazohet në nenet përkatëse të Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të Sjelljes së Deputetit dhe pritet të shqyrtohet nga organet kompetente të Kuvendit në ditët në vijim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu