Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, gjatë një takimi me qytetarë në njësinë 7 në kryeqytet deklaroi se Partia Socialiste gjatë mandatit të ardhshëm do ta bëjë pensionin mesatar 400 euro.

Garanci për mbajtjen e këtij premtimi, sipas Ballës, është puna që ka bërë Partia Socialiste deri më sot në këtë drejtim, duke e dyfishuar pensionin mesatar që gjeti më 2013-n.

“Po, është e vërtetë që ne duhet të bëjmë më shumë dhe ne do ta bëjmë pensionin mesatar. E gjetëm 86 euro kur ia morëm pushtetin Saliut dhe do ta bëjmë 400 euro brenda mandatit tonë të ri.”

Në fjalën e tij, Balla solli edhe një përvojë personale duke përmendur nënën e tij, një ish-infermiere me 45 vite punë, e cila, si shumë të tjerë, humbi vlerën e kontributeve të paguara gjatë komunizmit pas vitit 1992.

“Ne kemi bërë 170 euro, e kemi dyfishuar. Po prapë është i vogël apo s’është kështu? Po kur e bëj këtë debat me mamin tim-mami im ka punuar 45 vjet infermiere, edhe i ra mamit të shkretë që 23 vjet të punonte në komunizëm, 22 vjet në demokraci- tani ato kontributet shoqërore që dha në komunizëm në ’92-in, i shpëlau Saliu. Zero!”

Sipas Ballës, përgjegjës për këtë ishte qeverisja e Partisë Demokratike, sepse privatizimet nuk u orientuan në funksion të sigurimeve shoqërore.

“Ç’kishe dhënë kontribut gjithë jetën tënde- në vend që ato fabrikat, ato uzinat, ato pronat, t’i jepeshin sigurimeve shoqërore si kapital, se kishin punuar prindërit tanë, ato mbani mend-u dhanë ca letra me vlerë, ca pa vlerë. Dhe kur erdhi Edi Rama në 2013 çfarë gjeti? Gjeti një skemë pensionesh e cila kishte falimentuar. Largqoftë sikur të vazhdonte edhe një vit Saliu, ne s’do kishim mundësi të jepnim pensionet.”

Balla shtoi se, ndonëse ka një perceptim të përhapur për largimin e shqiptarëve nga vendi, numri i të punësuarve që paguajnë sigurime shoqërore është rritur ndjeshëm nga viti 2013, nga 1 milion e 23 mijë në mbi 1 milion e 327 mijë persona.

“Tani që paskan ikur shqiptarët, ke të punësuar që paguajnë sigurime 1 milion e 327 mijë, pra ke 300 mijë veta më shumë që kontribuojnë për këto të shkreta pensione. Por që ta dini edhe që është dhe angazhimi ynë,” deklaroi Balla.

Kjo rritje tregon një bazë më të fortë për mbështetjen e skemës së pensioneve, duke fuqizuar përpjekjet e qeverisë për të përmirësuar sistemin e pensioneve, në atë që kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një “plagë” që po mbyllet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu