Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka bërë një deklaratë provokuese gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke këmbëngulur se Kosova është pjesë e Serbisë dhe jo një shtet i pavarur.

“Kosova nuk është thjesht një copë toke, por djepi i shpirtit dhe i ekzistencës sonë në këtë tokë,” tha Vuçiç, duke e cilësuar Kosovën si “shtyllën kryesore të identitetit, kulturës dhe trashëgimisë shpirtërore të Serbisë”.

Vuçiç pretendoi se serbët në Kosovë jetojnë në kushte dramatike, duke akuzuar autoritetet kosovare se po u mohojnë të drejtat themelore si lëvizja e lirë, arsimi dhe kujdesi shëndetësor.

Këto deklarata vijnë pasi Kosova ka nisur mbylljen e institucioneve paralele serbe, të cilat i konsideron të jashtëligjshme. Lëvizje kjo që ka shkaktuar tensione me komunitetin serb dhe kritika nga disa vende ndërkombëtare.

Vuçiç i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të marrë hapa të menjëhershëm, duke e paraqitur situatën në Kosovë si një “krizë humanitare”.

Ky qëndrim i presidentit serb shihet si provokim i rëndë ndaj Kosovës dhe sovranitetit të saj, duke rrezikuar të përshkallëzojë më tej tensionet në rajon.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu