Protesta e opozitës para bashkisë së Tiranës këtë të martë kishte një ndryshim. Me molotovët janë marrë edhe disa goma të vjetra automjetesh të cilave ju është vënë flaka në rrugë.
Gjatë gjithë kohës protestuesit, mbështetës të opozitës kanë qëlluar me vezë dhe domate ndërtesën e bashkisë.
Mes ndërtesës së Bashkisë dhe protestuesve qëndronin forcat e policisë të cilat kanë penguar protestuesit që të afrohen ndërtesës. Situata u tensionua pas ndezjes së gomave të përdorura ndërsa policia tentoi ti fikë flakët. Në një moment Policia e Shtetit sulmoi protestuesit me gaz dhe tymuese. Kjo solli tensionimin e situatës. Protestuesit i vunë zjarrin disa gomave dhe hoqën gardhin metalik përpara Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë Këlliçi u zotua se protestat do të vazhdojnë deri në arritjen e qëllimit.
Sekretari organizativ i PD, Klevis Balliu, ka folur në protestën e sotme te Bashkia e Tiranës.
Klevis Balliu tha në protestë: Të nderuar qytetarë. Përshendetje të nderuar qendrestarë! Këta policë që do të ishin duke arrestuar narkotrafikantin Edi Rama dhe hajdutin Erion Veliaj, janë këtu për të provokuar qytetarët. Asnjë qytetar nuk i pranon dhe nuk i toleron provokimet.
Ju kemi thënë, në qoftë se ju doni që të ndalojë protesta, në qoftë se ju doni që të ndalojë qëndresa, respektoni ligjin, respektoni shtetin dhe arrestoni kryehajdutin Erion Veliaj. Arrestoni narkotrafikantin Edi Rama, arrestoni Ballukun, Xhaçkën. Arrestoni kriminelet që vjedhin qytetarët.
A e dini të nderuar miq që gjatë qeverisjes së Edi Ramës janë 10-fishuar përdoruesit e drogës. Ku po shkon droga sot? Po shkon në shkolla, po shkon tek fëmijët. Po shkon tek të rinjtë dhe të rejat e vendit tonë. Kemi sot gati 120 mijë përdorues droge.
Kjo ndodh sepse motivacioni i qeverisë është kokaina, kanabisi, heroina. Se këtë janë qeveria e drogës, se këta janë qeveria e krimit.