
Dhjetëra pronarë biznesesh përgjatë zonës turistike të Lungomares janë mbledhur sot në një protestë kundër aksionit të ndërmarrë për lirimin e hapësirave publike. Sipas tyre, ky aksion është i papërshtatshëm për momentin, pasi ndodh në kulmin e sezonit turistik, kur aktiviteti i tyre arrin pikun dhe të ardhurat janë jetike për mbijetesën e bizneseve të vogla dhe të mesme.
Protestuesit kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të kryeministrit për pezullimin e këtij vendimi deri në përfundim të sezonit veror. Ata theksojnë se shumë prej ndërhyrjeve përfshijnë heqjen e tavolinave dhe strukturave të përkohshme të vendosura në trotuare apo hapësira të tjera publike, që përdoren për shërbim ndaj klientëve në lokale, bare dhe restorante.
Disa prej bizneseve kanë paralajmëruar mbylljen e aktivitetit në shenjë proteste, nëse nuk merren masa për të ndalur përkohësisht zbatimin e vendimit.
Nga ana tjetër, autoritetet shtetërore argumentojnë se ky aksion ka për qëllim lirimin dhe sistemimin e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme, për të garantuar qarkullim të lirë për qytetarët dhe një pamje më të rregullt të zonës turistike. Megjithatë, koha dhe mënyra e zbatimit të këtij vendimi ka ngjallur debat dhe pakënaqësi të gjerë mes sipërmarrësve lokalë./vizionplus