Protestat kundër regjimit iranian janë shtrirë në të gjithë vendin, pavarësisht bllokimit pothuajse total të internetit dhe komunikimeve ndërkombëtare. Mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë pas thirrjes së ish-princit të kurorës në mërgim, Reza Pahlavi, duke sfiduar errësimin informativ dhe represionin e forcave të sigurisë.

Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, protestat kanë përfshirë 46 qytete në 21 provinca. Video të shpërndara në rrjet përpara ndërprerjes së internetit tregojnë demonstrues në Teheran dhe qytete të tjera, mes përleshjeve, zjarrvënieve dhe sloganëve kundër Republikës Islamike.

Bilanci i viktimave vijon të rritet. Sipas organizatës Iran Human Rights, me seli në Norvegji, të paktën 51 protestues, mes tyre edhe nëntë të mitur, janë vrarë që nga nisja e protestave më 28 dhjetor. Qindra persona të tjerë janë plagosur ose arrestuar.

Autoritetet iraniane kanë akuzuar “agjentë terroristë të lidhur me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin” për nxitjen e dhunës. Ndërkohë, kreu i sistemit gjyqësor iranian ka paralajmëruar ndëshkime maksimale dhe pa asnjë tolerancë ligjore për protestuesit.

Në planin ndërkombëtar, Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se po ndjek nga afër situatën dhe ka paralajmëruar pasoja të rënda nëse regjimi do të vijojë represionin. Nga ana tjetër, Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei ka akuzuar demonstruesit se po veprojnë për t’i bërë qejfin SHBA-ve dhe ka përjashtuar çdo tërheqje nga linja e regjimit.

Reza Pahlavi ka deklaruar se po përgatitet të kthehet në Iran për t’u bashkuar me protestat, duke u bërë thirrje qytetarëve për mobilizim të vazhdueshëm dhe grevë kombëtare në sektorët kyç të ekonomisë.

Situata në Iran mbetet shumë e tensionuar, ndërsa bllokimi i internetit po e bën të vështirë verifikimin e plotë të zhvillimeve në terren.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu