
Megjithëse Ministri i Zhvillimit Rural të Greqisë, Costas Tsiaras, u shfaq i hapur për dialog dhe madje shprehu gatishmërinë për të shkuar vetë në blloqet e fermerëve, përfaqësuesit e protestuesve nuk duken të gatshëm të ulen në tryezën e bisedimeve me qeverinë. Në prag të takimit mbarëkombëtar të fermerëve, i parashikuar për më 3 janar, ata paralajmërojnë përshkallëzim të mobilizimeve, ndërsa disa zëra flasin edhe për një “errësim” të vendit, me bllokim të akseve kryesore dhe ndarje të Greqisë në dysh.
Sipas informacioneve nga media greke protothema.gr, ndërsa qeveria vijon publikisht thirrjet për dialog, brenda saj klima po ndryshon. Në takimin e parë të bashkëpunëtorëve të kryeministrit pas pushimeve të Krishtlindjeve, u theksua se mund të shqyrtohen forma të tjera menaxhimi të situatës, përfshirë një qëndrim më të ashpër ndaj protestave.
Zyrtarë qeveritarë shprehen se, pavarësisht disa zërave individualë nga blloqe të ndryshme, fermerët në tërësi nuk tregojnë gatishmëri për një dialog racional. Një nga opsionet e diskutuara është që protestat të lihen të zbehen me kalimin e kohës, por në tryezë janë edhe propozime për vendosjen e gjobave administrative ndaj traktorëve që vazhdojnë të bllokojnë rrugët kombëtare. Sipas të njëjtave burime, pronarët e traktorëve janë identifikuar dhe zbatimi i masave do të ishte teknikisht i lehtë, nëse merret vendimi politik.
Ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve, Michalis Chrysochoidis, deklaroi se bllokimi i rrugëve përbën një akt të paligjshëm dhe se ekziston mundësia e zbatimit të ligjit përmes dispozitave ekzistuese ose atyre që mund të hartohen në vijim. Ai theksoi se qeveria deri më tani ka zgjedhur të mos përdorë forcën për të larguar traktorët, duke i bërë thirrje fermerëve për dialog.
Nga ana e tij, kryeministri Kyriakos Mitsotakis u shfaq i bezdisur nga situata dhe pasojat për qytetarët, duke deklaruar se bllokimi i rrugëve dhe refuzimi i dialogut nuk kuptohen nga shumica e shoqërisë. Ai theksoi se qeveria po vepron “me letra të hapura”, por paralajmëroi se kjo situatë nuk mund të zgjasë pafundësisht.
Mitsotakis akuzoi gjithashtu përfaqësues të blloqeve se po pengojnë fermerët që duan të hyjnë në dialog dhe se po përdorin protesta që, sipas tij, në fund dëmtojnë gjithë shoqërinë.
Tensioni u shtua edhe nga deklaratat e deputetit të Demokracisë së Re për Selanikun, Stratos Simopoulos, i cili akuzoi disa liderë sindikalë bujqësorë për motive partiake, duke pohuar se ata nuk veprojnë në interes të fermerëve, por për interesa të ngushta politike.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa pritet të shihet nëse takimi i 3 janarit do të sjellë një zgjidhje përmes dialogut apo një përshkallëzim të mëtejshëm të përplasjes mes qeverisë dhe fermerëve./oranews







