
Në Los Angeles është vendosur shtetrrethimi për shkak të protestave kundër masave të Presidentit Donald Trump për ndalimin e emigracionit të paligjshëm.
Ora policore zbatohet në 2.6 km katrorë të zonës së qendrës së qytetit. Kryebashkiakja Karen Bass vendosi shtetrrethimin në përgjigje të plaçkitjeve dhe dhunës gjatë protestave kundër bastisjeve të emigracionit.
Ndërkaq, në Los Angeles ka një prani të madhe të forcave të rendit dhe dhjetëra njerëz janë arrestuar pasi sfiduan shtetrrethimin. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, përdori një fjalim televiziv për të akuzuar Donald Trump-in për nxitjen e protestave.
“Demokracia është nën sulm. Donald Trump, pa u konsultuar me udhëheqësit e zbatimit të ligjit në Kaliforni, urdhëroi 2,000 anëtarë të Gardës Kombëtare të shtetit tonë të dislokoheshin në rrugët tona në mënyrë të paligjshme dhe pa asnjë arsye. Ky abuzim i paturpshëm i pushtetit nga një president në detyrë po vë në rrezik popullin tonë, oficerët tanë dhe madje edhe Gardën tonë Kombëtare”, tha Gavin Newsom, guvernatori i Kalifornisë.
Më herët, Newsom kishte paraqitur një mocion në gjykatë për të parandaluar zgjerimin e ushtrisë nga Trump në Los Angeles, por një gjyqtar federal e hodhi poshtë atë. Duke folur para anëtarëve të ushtrisë amerikane në një bazë ushtarake në Karolinën e Veriut, Trump i quajti protestat një “sulm të plotë ndaj paqes dhe rendit publik”.
“Si komandant i përgjithshëm, nuk do ta lejoj që kjo të ndodhë kurrë. Ajo që po shihni në Kaliforni është një sulm i plotë ndaj paqes, rendit publik dhe sovranitetit tonë kombëtar të kryer nga protestues që mbajnë flamuj të huaj me qëllim vazhdimin e një pushtimi të huaj të vendit tonë”, tha Donald Trump.
Protestat kundër bastisjeve të emigracionit janë përhapur nga Los Angeles në të paktën nëntë qytete të tjera të SHBA-së, duke përfshirë Nju Jorkun, Atlantën, Çikagon, Dallasin, Filadelfian dhe San Franciskon.
Kjo video tregon momentin kur një makinë shihet duke kaluar me shpejtësi përmes një turme njerëzish, të cilët ishin mbledhur për të protestuar kundër masave federale të emigracionit të urdhëruara nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, në Çikago./klan