Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas protestës në Shkodër, të mbajtur sot pas masakrës së 30 tetorit me tre të vrarë në kryeqendrën e veriut.
Berisha u shpreh se qytetarët u ngritën sot mbi dhunën shtetërore dhe se qëndruan qëndruan në emër të jetës, të paqes së qytetit, të sigurisë dhe të ardhmes së tyre.
Berisha: Masakra e 30 tetorit ishte një histori e licencuar, e organizuar dhe e mbështetur nga banda e partisë dhe policia e saj
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, më miqësore për ju misionare dhe misionarët e kauzës së drejtë të çdo shqiptari, kauzës së dinjitetit, të lirisë dhe interesit kombëtar.
Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj tribune të fjalës së lirë që përcjellin çdo natë te shqiptarët të vërtetat që mbulon me vellon e saj të zezë censura e narkoshtetit të Edi Ramës.
Por unë kam sonte përshëndetjen më të përzemërt për qytetarët e Shkodrës, për ata mijëra e mijëra të rinj, të reja, burra dhe gra që sot me marshin e tyre u ngritën mbi terrorin.
U ngritën mbi dhunën shtetërore.
Mbi masakrat e organizuara nga shteti me bandat e tij dhe qëndruan në emër të jetës, të paqes së qytetit, të sigurisë dhe të ardhmes së tij.
Të dashur miq, masakra e Shkodrës e datës 30 tetor, para se të jetë një histori krimi, para se të jetë një histori mafioze,
është një histori krimi dhe mafie shtetërore, e paralajmëruar por e licencuar nga shteti mafioz.
Kjo masakër ndodhi edhe pasi një nga viktimat e saj, i ndjeri Arlind Bushati, 32 vjeç, e kishte paralajmëruar se do të ndodhte.
19 ditë para atentatit, disa kriminelë me pistoleta u përpoqen të shtinë dhe t’i marrin jetën Arlindit tek pinte kafe me shokët e tij. Pistoletat për fat nuk shkrehën. Ky ishte paralajmërimi i masakrës makabre që tronditi Shkodrën dhe Shqipërinë.
Pas atentatit të dështuar, Arlindi denoncoi në narkopolici. Atje kishte dëshmitarë. Mediat e transmetuan ngjarjen.
Por çfarë bëri narkopolicia?
Asnjë masë! Asnjë mbrojtje për Arlindin. Asnjë ndalim për të dyshuarin! Asnjë marrje në pyetje. Sepse ajo ishte një me bandën e partisë.
Sepse ajo nuk është policia e qytetarëve të Shkodrës, por është policia e banditëve të Edi Ramës.
Prandaj masakra e 30 tetorit me tre të vdekur ishte edhe një histori e licencuar, e organizuar, e mbështetur nga banda e partisë dhe policia e saj.
Është historia e një policie po aq fajtore në krim sa ata që shkrehën plumbat mbi Arlind Bushatin, Hamza Licin, Flutura Bashën dhe bashkëshortin e saj.