Ka nisur me tensione dita e tretë e protestave në Rrjoll të Velipojës, ku banorët po kundërshtojnë ndërtimin e një resorti turistik në zonë. Situata u përshkallëzua në përplasje me forcat e policisë, pasi protestuesit tentuan të bllokonin rrugën për makineritë që do të vijonin punimet.

Gjatë përballjes, një banor ka humbur ndjenjat dhe është kërkuar ndërhyrja e ambulancës, ndërsa në zonë janë shënuar momente tensioni mes banorëve, policisë dhe punëtorëve.

Protestuesit pretendojnë se po u cenohet prona dhe e cilësojnë nisjen e punimeve si të paligjshme. Sipas tyre, çështja e pronësisë është ende në shqyrtim dhe pritet të trajtohet në një seancë gjyqësore në ditët në vijim.

Përplasjet mes banorëve dhe autoriteteve nuk janë të reja. Edhe në muajin mars pati tensione të ngjashme, kur banorët nisën protestat dhe depozituan një kallëzim në SPAK lidhur me projektin.

Projekti parashikon ndërtimin e një fshati turistik me vila dhe hotele luksoze në kufirin mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks–Rrjoll, një zhvillim që ka ndarë komunitetin mes pritshmërive për investime dhe shqetësimeve për pronat.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu