
Qindra qytetarë kanë dalë në protesta në Minneapolis pas vrasjes së 37-vjeçares Renee Nicole Good, e cila u qëllua për vdekje nga një agjent i Immigration and Customs Enforcement (ICE) gjatë një operacioni në jug të qytetit. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:25 të mëngjesit të së mërkurës dhe është filmuar nga kalimtarë, ndërsa pamjet po hetohen nga FBI.
Sipas autoriteteve federale, agjentët iu afruan automjetit të Good në mes të rrugës; ndërsa ajo tentoi të largohej, u dëgjuan të paktën dy të shtëna me armë. Sekretarja amerikane e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, deklaroi se Good kishte “ndjekur dhe penguar” oficerët dhe kishte tentuar të “armatosë automjetin e saj”, duke e cilësuar incidentin si akt “terrorist të brendshëm”.

Në kundërshtim me këtë version, Këshilli Bashkiak i Minneapolis deklaroi se Renee Nicole Good po “kujdesëj për fqinjët e saj” në momentin kur u qëllua. Kryetari demokrat i bashkisë, Jacob Frey, pas shikimit të pamjeve filmike, akuzoi agjentin për veprim të pamatur dhe kërkoi largimin e agjentëve të ICE nga qyteti.

Administrata e ish-presidentit Donald Trump ka mbështetur versionin federal, duke theksuar se agjenti ka vepruar në vetëmbrojtje. Ndërkohë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi se vdekja e Good ishte “një tragjedi e shkaktuar nga vetë ajo”, duke paralajmëruar se pengimi i operacioneve federale sjell pasoja të rënda.

Pas ngjarjes, autoritetet federale kanë dislokuar qindra agjentë të ICE në Minneapolis, si pjesë e goditjes së Shtëpisë së Bardhë kundër emigracionit të paligjshëm. Protestat po vijojnë në disa zona të qytetit dhe janë paralajmëruar tubime edhe në qytete të tjera amerikane, ndërsa FBI po heton rrethanat e plota të vrasjes.






