Protestat kundër qeverisë serbe janë shtrirë në dhjetëra qytete të vendit, përfshirë Beogradin dhe Novi Sadin, duke sjellë përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të sigurisë.

Me moton “Serbi, zgjohu”, mijëra qytetarë, kryesisht studentë, kanë marshuar për të kërkuar ndryshime politike dhe sociale. Në Beograd, tensionet u përshkallëzuan kur protestuesit hodhën objekte drejt policisë, ndërsa forcat e xhandarmërisë reaguan me gaz lotsjellës.

Në Novi Sad, para zyrave të Partisë Progresiste Serbe (SNS), u shënuan incidente të tjera, ku një oficer policie mbeti i plagosur. Sipas Ministrisë së Brendshme, mbi gjashtë policë dhe disa qytetarë kanë marrë lëndime gjatë përleshjeve.

Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, deklaroi se “të gjithë ata që kanë kryer akte dhune do të përballen me ndëshkim”.

Protestat, të cilat nisën më shumë se tetë muaj më parë pas tragjedisë në Novi Sad ku humbën jetën 16 persona nga shembja e një strukture betoni në Stacionin Hekurudhor, kanë kaluar nga kërkesa për drejtësi për viktimat në një lëvizje të gjerë për reforma politike dhe sociale në Serbi.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu