
Irani po përballet me një nga valët më të rënda të protestave antiqeveritare të viteve të fundit, ndërsa autoritetet kanë vendosur një bllokim pothuajse total të internetit në të gjithë vendin, pas marshimeve masive në Teheran dhe dhjetëra qytete të tjera.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, reagoi ashpër ndaj demonstratave, duke i cilësuar protestuesit si “një grusht vandalësh” që, sipas tij, po veprojnë për të “kënaqur” presidentin amerikan Donald Trump.

Në një fjalim televiziv, Khamenei deklaroi se protestuesit po shkatërrojnë pronën e vendit të tyre dhe po ndjekin thirrjet e Uashingtonit. Ai akuzoi drejtpërdrejt Trumpin për nxitjen e trazirave dhe tha se duart e tij janë “të njollosura me gjakun e mijëra iranianëve” pas luftës 12-ditore Iran–Izrael në verën e vitit 2025.

Protestat nisën më 28 dhjetor në Teheran, të nxitura nga kolapsi i monedhës iraniane dhe përkeqësimi i kushteve ekonomike, ndërsa sipas organizatave të të drejtave të njeriut, ato janë përhapur tashmë në dhjetëra qytete. Të paktën 34 protestues dhe 4 efektivë të sigurisë raportohet se janë vrarë, ndërsa mbi 2.200 persona janë arrestuar.
Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Teheranin se SHBA do të reagojë “shumë ashpër” nëse forcat iraniane vrasin civilë gjatë shtypjes së protestave. “Nëse fillojnë të vrasin njerëz, do të paguajnë shtrenjtë”, tha Trump në një intervistë për mediat konservatore amerikane.

Ndërkohë, grupe monitorimi të internetit raportojnë një ndërprerje kombëtare të rrjetit, duke e bërë pothuajse të pamundur komunikimin brenda Iranit. Iranianë që jetojnë jashtë vendit kanë deklaruar se nuk arrijnë të kontaktojnë familjarët e tyre. Për shkak të ndalimit të mediave ndërkombëtare për të raportuar nga brenda Iranit, verifikimi i situatës po bëhet kryesisht përmes rrjeteve sociale dhe pamjeve të analizuara nga BBC Persian dhe BBC Verify.
Situata konsiderohet veçanërisht e rrezikshme për regjimin iranian, për shkak të krizës së thellë ekonomike, korrupsionit të lartë dhe dobësimit të pozicionit rajonal të Teheranit pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.






