
Tiranë – Partia Demokratike e Shqipërisë zhvilloi mbrëmjen e sotme një protestë masive në Tiranë, ku u mblodhën qytetarë, demokratë, deputetë dhe aleatë të opozitës, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Tubimi u shoqërua me akuza të ashpra ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, të cilin opozita e akuzon për kapje të shtetit, shkatërrim të demokracisë dhe përkeqësim të situatës demografike në vend.
Gjatë fjalës së mbajtur para protestuesve, kreu historik i PD-së Sali Berisha e cilësoi situatën aktuale si një nga momentet më kritike të kombit shqiptar, jo vetëm në 35 vitet e fundit, por sipas tij, ndoshta në gjithë historinë mijëravjeçare të vendit. Ai deklaroi se në dhjetë vitet e fundit shqiptarët janë pakësuar më shumë se nga çdo epidemi, pushtim apo krizë tjetër, duke theksuar rënien drastike të lindshmërisë dhe largimin masiv të të rinjve nga Shqipëria.
Berisha akuzoi Ramën se, pasi sipas tij i ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale, ka vendosur të pasurohet në mënyrë të paligjshme me paratë publike dhe pasuritë e shqiptarëve, duke u vendosur mbi ligjin dhe Kushtetutën. “Nga sonte, ti nuk do të njihesh më as në Shqipëri dhe as në botë si kryeministër, por si kapobandë”, deklaroi Berisha, mes brohoritjeve të protestuesve në bulevard.
Protesta u zhvillua në një atmosferë të tensionuar politike, ndërsa PD paralajmëroi vijimin e aksioneve opozitare kundër qeverisë, duke e cilësuar këtë tubim si një thirrje për shpresë, besim dhe ndryshim për të ardhmen e vendit.






