Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, gjatë tubimit të organizuar nga Partia Demokratike përpara Kryeministrisë dhe Parlamentit, disa protestues kanë kundërshtuar forcat e rendit dhe kanë hedhur lëndë djegëse të improvizuara (molotovë).

Si rezultat i veprimeve hetimore:

  • 37 shtetas u identifikuan për veprime të kundërligjshme;
  • 18 persona u arrestuan në flagrancë;
  • 17 të tjerë u proceduan penalisht, përfshirë edhe 3 të mitur;
  • 2 shtetas u shpallën në kërkim.

Po ashtu, materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për procedim penal ndaj E. M., sekretar organizativ i Partisë Demokratike, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, si dhe ndaj tre shtetasve të tjerë për “Kundërshtim të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”.

Policia bën me dije se 11 punonjës policie u dëmtuan, morën ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në një deklaratë për mediat, kreu i PD-së, Sali Berisha, hodhi poshtë versionin e Policisë, duke deklaruar se protestuesit kanë shprehur zemërimin e tyre ndaj kryeministrit Edi Rama, ministres Belinda Balluku, drejtuesve të AKSHI-t dhe rrethit të afërt të kryeministrit.

Berisha deklaroi se mbi 27 të rinj janë arrestuar apo shoqëruar padrejtësisht, duke publikuar edhe emrat e qytetarëve të ndaluar në disa komisariate të Tiranës. Sipas tij, ata nuk kanë kryer asnjë shkelje ligjore, por janë ndëshkuar vetëm pse kanë protestuar.

Ai akuzoi Policinë për keqtrajtim fizik, përfshirë edhe një qytetare që, sipas tij, nuk kishte asnjë lidhje me protestën, si dhe mohoi kategorikisht plagosjen e efektivëve.

“Partia Demokratike ka kontaktuar të gjitha qendrat spitalore të Tiranës dhe nuk rezulton të jetë paraqitur qoftë edhe një polic i vetëm i plagosur”, deklaroi Berisha, duke shtuar se policët që u “kalamendën” nga gazi, sipas tij, u prekën nga gazi i hedhur nga vetë Policia.

Berisha paralajmëroi protesta të tjera, që sipas tij do të jenë më masive, dhe u bëri thirrje punonjësve të Policisë të mos, siç u shpreh ai, “mbrojnë një regjim që po ndëshkohet nga populli”.

Ndërsa Policia e Shtetit vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në akte të paligjshme, përplasja politike mes mazhorancës dhe opozitës për protestën e 24 janarit mbetet e ashpër, me akuza të ndërsjella për dhunë, manipulim faktesh dhe shkelje të të drejtave të qytetarëve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu