Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “detyrim me paraqitje” për 17 nga 18 personat e ndaluar pas protestës së opozitës të mbajtur më 20 shkurt.

Për një prej të ndaluarve nuk u caktua masë sigurie, për shkak të problemeve të shëndetit mendor.

Sipas vendimit të gjykatës, 9 arrestime janë konsideruar të ligjshme dhe 9 të paligjshme. Si i ligjshëm u cilësua edhe arrestimi i 2 nga 3 të miturit e ndaluar gjatë protestës.

Avokatja Adriana Kalaja deklaroi se do ta apelojë vendimin dhe paralajmëroi kallëzim penal ndaj strukturave të policisë, duke i akuzuar për veprime arbitrare dhe shpërdorim detyre.

Sipas saj, procesverbalet e paraqitura nga policia në prokurori ishin të njëanshme dhe të pabazuara në prova. Kalaja pretendoi se gjatë marrjes në pyetje nuk është ngritur asnjë pretendim nga oficerët e policisë gjyqësore për gjetjen e sendeve të paligjshme në furgonët ku ndodheshin të shoqëruarit.

Ajo ngriti gjithashtu dyshime mbi kohën e ndalimit dhe procedurat e ndjekura, duke theksuar se ekziston mospërputhje mes orarit të shoqërimit dhe atij të hartimit të procesverbaleve.

Edhe avokatja Eda Grimçi, e cila mbrojti dy të miturit, u shpreh se çështja do të kërkojë hetim të plotë. Sipas saj, prindërit e të miturve kanë deklaruar se do ta ndjekin çështjen përmes kallëzimit penal dhe kërkojnë zbardhjen e plotë të rrethanave, përfshirë pretendimin për futjen e lëndëve të dyshuara në çantat e tyre.

Ngjarja e 20 shkurtit vijon të mbetet në qendër të debatit politik dhe ligjor, ndërsa pritet që palët të ndjekin hapat e mëtejshëm procedurialë në instancat më të larta.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu