TIRANE- Konflikti për pronat me anëtarë të tjerë të fisit dyshohet se është pista kryesore e hetimit për vrasjen e Bujar Nasufit pronari i mobilierisë “Ferdinand” në Tiranë. 56 vjeçari u ekzekutua reth orës 20:40 të mbrëmjes së 12 janarit sapo iu afrua banesës në rrugën “Myrte Zeneli”, mes Pallatit me Shigjeta dhe zonës së Selitës.
Dyshimet janë se viktima Bujar Nasufi ka pasur konflikte për pronat me anëtarë të tjerë të fisit. Për këtë arsye, po punohet për verifikimin e tyre.
Bujar Nasufi rezulton të jetë pronar i mobilierisë ‘Ferdinand’, e cila është në likuidim e sipër.
Çfarë regjistruan kamerat e sigurisë?
Grupi hetimor ka sekuestruar disa kamera sigurie ku duket autori i krimit, i cili me kapuç është munduar që të fshehë identitetin e tij i kamufluar si motorist për shpërndarje picash. Nga këqyrja e pamjeve të kamerave që policia ka bërë, autori e ka pritur viktimën në afërsi të banesës, përpara se të vinte.
56-vjeçari Nasufi u ekzekutua në sy të bashkëshortes së tij, pasi ishte brenda mjetit në momentin kur autori u afrua dhe qëlloi duke e lënë të vdekur në vend.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në momentin kur ka ndodhur vrasja kanë qenë dy automjete, një e viktimës dhe tjetra e vëllait të tij që janë afruar në banesë, pasi të dyja familjet jetojnë në një godinë, pallat që e kanë ndërtuar para disa vitesh.
Fillimisht në rrugicë ka hyrë mjeti i të vëllait, ndërsa pas mjeti i viktimës. Sapo Bujar Nasufi ka dashur të parkojë në rrugë, autori është afruar dhe e ka qëlluar, më pas është larguar me motor.
Në rrugën “Myrte Zeneli” në Tiranë, ku mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:20 u ekzekutua Bujar Nasufi ka ende xhamat e thyer të makinës së tij. Autori i kamufluar si shpërndarës picash e ka pritur vetëm pak metra larg pallatit, ku 56 vjeçari kishte ndërtuar së bashku me të vëllanë dhe banonin të dy.
Pista kryesore e hetimit është ajo e konfliktit të pronësisë me anëtarë të fisit të tij por nuk përjashtohen pistat e tjera. Nasufi rezulton pronar i mobilierisë ‘Ferdinand’ që ndodhet në rrugën “Irfan Tomini” . /Shqiptarja.com