Prokuroria e Durrësit ka urdhëruar sekuestrimin e dokumentacionit të përpunimit të materialit dhe dokumente të tjera të cilat kanë lidhje me transportimin me 2 anije të 816 ton të dyshuara me mbetje toksike nga Shqipëria drejt Tajlandës.
Shqiptarja.com mëson se gjatë javës është sekuestruar i gjithë dokumentacioni i kompanisë private ‘Kurum International’ që dyshohet se ka prodhuar edhe mbetjet toksike që më pas i ka shitur tek kompania ‘Sokolaj’ që ka organizuar transportin në drejtim të Tajlandës. Gjithashtu janë sekuestruar edhe dokumentet e kompanisë “Sokolaj” shpk si eksportuese të këtyre mbetjeve, e cila merret me import-eksport mineralesh, që rezulton në pronësi të shtetases Gjovana Sokolaj. Janë sekuestruar edhe dokumentet që gjenden në doganën e Durrësit lidhur me eksportin e ngarkesës.
Gjithashtu prokuroria e Durrësit urdhëroi gjatë javës sekuestrimin e dokumentacionit të përpunimit të materialit dhe dokumente të tjera pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN, Ministrisë së Mjedisit.
Në doganë mbetjet janë regjistruar si ‘oksid hekuri’ eksporti i të cilës është i lejuar pasi nuk konsiderohet i rrezikshëm dhe jo pluhur i furrave të çelikut që është lëndë shumë e rrezikshme dhe u konstatua më vonë nga autoritetet ndërkombëtare.
Hetimet janë në fazën paraprake dhe ende nuk ka persona të shoqëruar apo të ndaluar.
Pas administrimit të këtyre dokumenteve, prokuroria do të nisë edhe marrjen në pyetje të personave që kanë pasur lidhje me këtë ngarkesë apo me dokumente të përpunimit të materialeve.
Ngarkesa po kthehet mbrapsht
Ngarkesa e bllokuar në Tailandë po kthehet mbrapsht dhe anijet janë ende është në udhëtim. Bëhet e ditur se me të mbërritur në portin e Durrësit, do të merren kampionë për ti analizuar e për të parë nëse lënda është toksike apo jo.
Ndërkohë ministria e Infrastrukturës dhe e Mjedisit në një deklaratë të përbashkët kanë bërë të qartë se nuk do ti pranojnë pa dalë analizat
” Nuk mundet që Shqipëria të pranojë a priori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekullimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”
KURUM mbyll dyert e uzinës
Ndërsa ne Elbasan, kompania turke Kurum, në të cilën janë punësuar 500 punonjës ka mbyllur dyert dhe ka pezulluar aktivitetin. Kompania turke jo zyrtarisht ka deklaruar se Uzina e Çelikut është ndërprerë prej më shumë se 1 jave. Shkak është bërë rritja e kostos së prodhimit të çelikut, duke bërë që të mos jemi konkurrues me tregun e Kinës dhe Turqisë. Për këtë thuhet se janë lajmëruar punonjës dhe është bërë marrëveshja e sindikatën e punonjësve për ndërprerjen e punës. Janë bërë diskutime prej 10 ditësh pasi o bëhet një ristrukturim i prodhimit tek Uzina e Çelikut për të qenë konkurrues në treg për shkak të kosotove të larta.
Për deputetin socialist, Erion Braçe ky është një shantazh që kompania turke po bën ndaj qeverisë dhe kërkon që të mos tolerohet më. Kompania turke jo zyrtarisht deklaroi dje se puna u ndërpre për shkak të rritjes së kostos së prodhimit të çelikut./Shqiptarja.com