Prokuroria e Tiranës ka lëshuar sot, 4 nëntor, tetë masa sigurie për punonjës të Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), si dhe administratorin e një kompanie farmaceutike, pas hetimeve për falsifikim dokumentesh dhe fshehje të të ardhurave.

Hetimet zbuluan se medikamente si Foster dhe Trimbow janë përdorur në një skemë fiktive shit-blerjeje për të përfituar miliona lekë nga fondet e rimbursimit të FSDKSH-së.

Administratorët e kompanisë farmaceutike që po hetohet dyshohet se kanë krijuar vetë dy distributues (shpërndarës barnash), të cilët kanë deklaruar sasi medikamentesh të pabazuara në blerje reale, duke falsifikuar inventarin dhe faturat.

Kjo skemë ka përfshirë edhe punonjës të FSDKSH-së, të cilët duhet të kontrollonin sasinë reale të barnave, por nuk e bënë këtë detyrë, duke lejuar që fondet publike të shkonin në mënyrë të paligjshme tek kompanitë e përfshira.

Nga hetimet rezulton se janë deklaruar mijëra kuti të medikamenteve, teksa nuk është kryer asnjë blerje reale.

Kështu kompania farmaceutike ka lëshuar faturë fiktive ndaj farmacive, duke përfituar nga rimbursimet e FSDKSH-së.

Prokuroria e Tiranës lëshon 8 masa sigurie për administratorin e CFO Pharma e punonjës të FSDKSH për ‘Falsifikim të Dokumenteve’ dhe ‘Fshehje e të ardhurave’

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, jep tetë masa sigurie për veprat penale “Falsifikimi i dokumentave” i kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave” të parashikuar nga nenet 186/2 dhe 180/3 të Kodit Penal.

Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.4472, të vitit 2025, të kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Seksionin e Krimit Ekonomik Financiar në Drejtorinë e Policisë Tiranë, rezultoi se personi nën hetim, shtetasi F.M., administrator i subjektit “CFO Pharma”, me veprimet e tij, ka përdorur dy subjektet “Pharma Plus” dhe “Nedix Albania” dhe administratorët e tyre për qëllime përfitimi, duke paraqitur të dhëna të rreme sikur ka blerë nga këto subjekte medikamente të cilat “Nedix Albania” dhe “Pharma Plus”, i kanë krijuar në gjendjet e tyre të inventarit në sistemin “edepo” duke falsifikuar inventarin respektiv si dhe faturat e blerjes. Këto veprime kanë lejuar të dy këto subjekte të kenë aftësi për shitjen e medikamenteve “Foster” dhe “Trimbow” te subjekti “CFO Pharma.

Hetimet nisën pas kallëzimit të shtetasit I.Sh. administrator i subjektit “Medicamenta” që është importues ekskluziv farmaceutik i licensuar dhe kontraktuar me Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetsor, për rimbursimin e disa barnave. Ai kallëzoi se është në dijeni të faktit se subjekti “CFO Pharma” dhe subjektet “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” në bashkëpunim me nëpunës publikë të Fondit të Sigurimeve Shëndetsore kryejnë veprimtari të kundërligjshme që konsiston në veprime fiktive të shitjes dhe blerjes së produkteve “Foster” dhe “Trimbow” dhe si rrjedhojë e këtyre veprimeve/inventarëve fiktivë përfitojnë nga FSDKSH fonde rimbursime në shuma të konsiderueshme monetare.

Nga të dhënat e publikuara nga Fondi për konsumin e barnave, të dhënat e kallëzuesit të import-it dhe shitjeve por veçanërisht nga të dhënat në drejtorinë e statistikës pranë Fondit, u konstatua një skemë të organizuar me qëllim përfitimi korruptiv të fondeve të rimbursimit në vlera shumë të mëdha. Në qëndër të kësaj skeme të organizuar qëndron distributori farmaceutik “CFO Pharma” në bashkëpunim me zyrtar të FSDKSH.

Shpërndarësit “Pharma Plus” dhe “Medix Albania”, janë shpërndarës të themeluar “de fakto” nga pronari i “CFO Pharma”, të cilët kanë lidhur kontratë me FSDKSH ku kanë deklaruar shifra të fiktive të gjëndjes fillestare të inventarit, me qëllimin shitjet më pas fiktive në “CFO Pharma” e më pas në farmaci.
Subjekti “Pharma Plus” ka deklaruar 2000 kuti “Foster” dhe 1107 kuti “Trimbow” në vlerë 10 milion lekë të reja, pa asnjë blerje. Subjekti “Medix Albania” ka deklaruar 4000 kuti “Foster” dhe 11 500 kuti “Trimbow”, në vlerë 60 milionë lekë, pa asnjë blerje.

Fakti, i miratimit të këtyre inventareve fiktive si dhe lidhja e kontratave të këtyre subjekteve nga zyrtarë të FSDKSH tregon qartë përfshirjen e zyrtarve të Fondit si pjesë e kësaj skeme. Shitjet fiktive të “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” janë bërë drejt “CFO Pharma” e cila ka lëshuar fatura fiktive drejt disa farmacive.

Gjithashtu bazuar në veprimet hetimore të kryera deri më tani në funksion të këtij procedimi penal, ka dyshime që shtetasi S.Z. Drejtor i FSDKSH, ka konsumuar elementët e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave” i parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal. Konkretisht personi nën hetim në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Fondit ka nënshkruar Kontratë “Për Qarkullimin e Barnave të Listës së Barnave që rimbursohen Nga Shpërndarësi Farmaceutik”, ndërmjet Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Shpërndarësit Farmaceutik “Pharma Plus”. Po kështu, edhe punonjëset e FSDKSH, shtetaset R. A., Z.M. dhe E. Gj., kanë konsumuar elementët e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave” të parashikuar nga neni 186/3 i Kodi Penal. Këto shtetase duhet të kontrollonin fizikisht medikamentet që kishte përshkruar në listën e inventarit, administratorja e subjektit “Nedix Albania’ e hetuara L. B. Nga kontrolli i kryer dhe verifikimi i medikamenteve në magazinën e “Nedix Albania”, këto shtetase kanë evidentuar sipas tyre, se në magazinën e subjektit ndodhej sasia prej 4.000 kuti medikament i llojit “Foster”.

Mbi faktet dhe provat që i bashkëngjiten kësaj kërkese, mbështetet ekzistenca e dyshimit të arsyeshëm se këto shtetas dyshohet se janë autorë të veprave “Falsifikimi i dokumentave” kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave” të parashikuar nga nenet 186/2 dhe 180/3 të Kodit Penal dhe kërkohet

1. Të caktohen ndaj shtetases A.Z. , e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumentave” i kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave” masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”; Ekzekutuar

2. Të caktohen ndaj shtetases J. B., e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumentave” i kryer në bashkëpunim, masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”; Ekzekutuar

3. Të caktohen ndaj shtetases L. B. e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumentave” i kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave” masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”’; Ekzekutuar

4. Të caktohet ndaj shtetasit F. M., i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumentave” i kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave”, masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”; Shpallur në kërkim

5. Të caktohet ndaj shtetasit S. Z., i dyshuar për kryerjen e vepres penale “Falsifikimi i dokumentave” të parashikuar nga nenet 186/3 i Kodit Penal, masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”; Ekzekutuar

6. Të caktohen ndaj shtetases Z.M., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”; Ekzekutuar

7. Të caktohen ndaj shtetases E. Gj, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave” masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”; Ekzekutuar

8. Të caktohen ndaj shtetases R.A., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave” të parashikuar nga nenet 186/3 i Kodit Penal, masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore/ BalkanWeb

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu