Shkodër, 22 tetor 2025 – Prokuroria e Shkodrës ka hapur hetime për vdekjen e Mirel Çokajt, 40 vjeç, i cili u gjet i pajetë më 18 shtator në një humnerë në malet e Kelmendit, në Malësinë e Madhe.

Fillimisht, policia raportoi se vdekja kishte ndodhur si pasojë e një aksidenti, por dyshimet e ngritura nga familjarët kanë çuar në nisjen e një hetimi paraprak për veprën penale “shkaktim i vetëvrasjes”.

Trupi i shumëkërkuar i Çokajt u lokalizua përmes dronit, ndërsa Forcat e Ushtrisë ndërhynë me helikopter për ta nxjerrë nga humnera rreth 24 orë pas njoftimit.

Familjarët kanë ngritur dyshime për një vrasje të mundshme, duke treguar se Çokaj ndodhej në një parcelë kanabisi, rreth një orë larg vendit ku u gjet i pajetë. Ata theksojnë se parcela ishte gati për korrje dhe se telefoni i tij nuk është gjetur ende, duke lënë hapësirë për hipotezën e fshehjes së provave.

Pas ngjarjes, policia asgjësoi 780 bimë kanabis sativa në zonën përreth parcelës.

Prokuroria e Shkodrës po vazhdon marrjen e dëshmive nga familjarët, të afërmit dhe persona të tjerë për të sqaruar rrethanat e vdekjes së Mirel Çokajt dhe nëse lidhen me një veprim kriminal.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu