
Në mbledhjen e Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla argumentoi rëndësinë e projektligjit për barazinë gjinore dhe riformulimin e disa amendamenteve të tij. Balla theksoi se dezinformimi është sot armiku më i madh i demokracisë dhe se shumë nga kundërshtimet publike ndaj ligjit janë ndërtuar mbi keqinterpretime dhe fushata të qëllimshme për të deformuar debatin publik. Ai vuri në dukje se çdo ndryshim i bërë në tekstin e ligjit ka synuar përmirësimin teknik dhe jo ndryshimin e përmbajtjes thelbësore të tij.
Duke iu referuar debateve publike, Balla shtoi se ndryshimet e propozuara janë në linjë me librat e shenjtë dhe se edhe krerët fetarë janë në dakordësi me to, pasi nuk parashikohet ndryshimi i Kodit të Familjes.
Fjala e Taulant Ballës në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme
Zoti Kryetar i Komisionit,
të nderuar anëtarë,
të nderuar përfaqësues të qeverisë.
Së pari, më lejoni të shpreh dy konsiderata që lidhen me projektligjin.
Në parantezë, dua të them se beteja më e madhe e demokracisë sot është përballja me dezinformimin. Dezinformimi është armiku më i madh i fjalës dhe i vlerave demokratike. Dhe kur dezinformimi përdoret si mjet nga vetë ata që formësojnë institucionet demokratike, atëherë ai kthehet në një problem më vete.
Gjithçka që u tha nga parafolësi nuk ka të bëjë fare me ligjin për të cilin po flasim. Parafolësi bëri një deklaratë që mund të ndërlidhet me diskutime të atyre që haber nuk kanë nga çfarë diskutohet dhe nga ai përrua psiqik që nuk i referohen ligjit për të cilin jemi mbledhur sot.
Meqenëse jemi me kamera publike dhe populli na dëgjon, më lejoni të theksoj se ky projektligj përbën një arritje të madhe të shoqërisë sonë. Me miratimin e këtij ligji, ne hedhim një hap tjetër në konsolidimin e gjithçkaje që është bërë deri më sot, që burrat dhe gratë e këtij vendi, kudo që punojnë, garojnë apo kontribuojnë, të ndihen të barabartë.
Si kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, dua të theksoj se Partia Socialiste ka meritën kryesore për vendosjen e kuotave gjinore në proceset zgjedhore demokratike në Shqipëri. Është falë propozimit të Partisë Socialiste që sot, në çdo këshill bashkiak të vendit, kemi kuotë të barabartë mes burrave dhe grave — 50 për qind gra dhe 50 për qind burra. Kjo është një meritë e padiskutueshme e kësaj force politike, e ulur në të majtë të kësaj salle që sot në Kuvendin e Shqipërisë kemi numrin më të madh të vajzave dhe grave që ka pasur ndonjëherë në historinë e tij. Mos harroni që kemi nisur nga viti 1920 dhe më pas në 1946,as asnjë grua në Kuvend, ndërsa sot kemi numrin më të lartë historikisht. Shpresoj që një ditë të arrijmë që Parlamenti, me 140 anëtarë, të ketë 70 gra dhe 70 burra — pse jo, edhe më shumë gra e vajza, të cilat japin më shumë kulturë e më shumë vlerë shoqërisë sonë.
Se gjelat që bëjnë gjatë ditës si gjela, pastaj kur shkojnë në darkë te gratë — reflektojnë, me gjithë “budallallëqet” që mund të kenë bërë gjatë ditës së punës.
Sa i përket ligjit, zonja dhe zotërinj deputetë, keni përpara jush disa riformulime të atyre amendamenteve që kemi depozituar, në kuadër të asaj që quhet teknikë legjislative. Pra, nuk është e vërtetë që ne jemi tërhequr nga amendamentet tona, por kemi pranuar si teknikë legjislative riformulimin e tyre. Në ato që janë thelbi i një ligji.Kur ulesh të shkruash një ligj gjithmonë parimet themelore janë definicionet, mbi bazën e të cilave punohet gjatë procesit të hartimit, për të përcaktuar elementët e tij.
Ne kemi riformuluar dy definicione bazë të këtij ligji. Ky është një ligj që flet për barazinë mes burrit dhe gruas kudo. Ka qenë një betejë e gjatë e socialdemokracisë europiane dhe e Parlamentit Europian ndër vite, për të arritur që në një vend pune burri dhe gruaja të paguhen njëlloj.
Mjaft më me historinë që, për shkak se je grua, duhet të paguhesh më pak, apo që burri duhet të marrë më shumë “se është burrë”. Kjo është një histori e pakuptimtë në shekullin XXI. Ky është realitet. Në Parlamentin Europian janë bërë me muaj dhe vite diskutime se si mund t’i imponohet ligjvënësi edhe sektorit privat për çështjen e pagave. Dhe po, është e mundur — mund të punohet mbi parimet e mosdiskriminimit dhe barazisë gjinore. Jemi këtu sot për të shkuar në dy elementë.
Dëgjova me vëmendje dikë që, për fatin e mirë apo të keq të këtij vendi, ka qenë edhe ministër i jastëm, edhe zëvendëskryeministër. Ju turr një formulimi që nuk është shpikje as e imja, as e Evis Kushit, as e Klodiana Spahiut, as e Iris Luarasit, as e Igli Hasanit. Por, e vërteta është që në variantin fillestar të ligjit, definicioni i gjinisë krijonte keqkuptime, jo sepse ishte problematik.
Jo pas qëllim, si kryetar i Grupit Parlamentar të shumicës, bashkë me kolegët, pas shumë konsultimesh kemi përgatitur një draft të parë dhe më pas kemi ardhur në këtë draft i cili kënaq të gjitha amendamentet tona. Sepse në fund të fundit, nëse vendoset definicioni, pjesa tjetër është vetëm çështje mosripërsëritjeje.
Në variantin e parë “Sipas këtij ligji, gjinia ka kuptim gjithëpërfshirës në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit lidhur me identitetin dhe shprehjen gjinore.”
Parimi kaq qenë i drejtë: pavarësisht nëse je grua apo burrë, nuk mund të diferencohesh në të drejtat e tua themelore dhe në trajtimin tënd, qoftë edhe atë financiar.
Por, ne mendojmë se Shqipëria, si vend kundërfirmëtar i Konventës së Stambollit. Dhe këtu bëhet qesharake fakti që personi që ishte këtu më parë — dhe iku — e di se firmosësi i kësaj konvente ishte Sali Berisha dhe qeveria e vitit 2011. Në Konventën e Stambollit thuhet:
“Gjinia nënkupton rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivitetet dhe atributet që një shoqëri e caktuar i konsideron të përshtatshme për gratë dhe burrat.”
Ky është përkufizimi më i gjithëpranuar sot edhe në vendet, përfshirë Italinë, e cila e ka ratifikuar dhe e përdor si term ligjor. Sepse flet me parime që i gjejmë edhe në librat e shenjtë – si Bibla dhe Kurani – flasin për burrat dhe gratë.
Element tjetër i rëndësishëm është se ka pasur një shqetësim në kuadër të fushatës së dezinformimit kundër këtij ligji. Shpresoj që nuk e kanë ndërmarrë burrat “namuzqarë” gjithë këtë fushatë shpifjeje kundër këtij ligji, por dhe kur shoh namuzin që tretet dhe nuk reagon kur duhet të reagojë edhe kur problemi shihet me sy dhe preket me dorë. Përkatësia e shumëfishtë ishte definicioni tjetër që krijonte problematika, për shkak të mënyrës se si ishte formuluar. Edhe pse, nëse do ta kishim sqaruar më thellë, nuk do të kishte asnjë problem.
Megjithatë, ne e kemi riformuluar edhe këtë përkufizim në propozimet tona që shpresoj të marrin mbështetjen tuaj dhe jemi larguar nga termi “përkatësi e shumëfishtë”, ndërthurja e gjinisë me karakteristika të tjera si mosha, aftësia e kufizuar, prejardhja emigrante – që në vetvete nuk përbëjnë asnjë problem, etnia,orientimi seksual pra i kemi hequr këto.
Dhe meqënëse zotëria na tha këtu se vlerëson shumë ligjin për antidiskriminimin dhe e ka votuar, eja pra! Votojeni sepse i jemi referuar fiks atij ligji. Pra, se nuk keni qenë duke miratuar para disa kohësh një ligj për mbrojtjen nga diskriminimi. Ai është votuar nga të gjitha palët që kanë qenë prezent aq sa kanë qenë.
Kur e bën parlamentin si shkollë nate, që nuk dihet kur vjen, nuk dihet kur ikën, ndoshta nuk ruan dot dhe kontinuitetin e qëndrimeve. Por e vërteta është që ky ligj i mbrojtjes nga diskriminimi ka mbështetje të plotë. Dhe për t’i hequr të gjitha këto deviacione, në kuptimin e problemit që ngrihet nga fushatat dezinformuese. Kemi pranuar të rishkruajmë dhe mendoj që e adreson, sepse në fund të fundit i referohet diçkaje që është sot në fuqi.
Zonja dhe zotërinj deputetë, çështjet që u thanë këtu nuk është se janë të pavërteta, por Shqipëria jonë i ka të ngulitura në traditën familjare shqiptare. I ka të ngulitura dhe burojnë drejtpërdrejt nga librat e shenjtë. Dhe e vërteta është që më vjen mirë, më vjen mirë që edhe udhëheqësia e mençur e komuniteteve tona fetare – që, pasi u njohën me propozimet dhe amendamentet tona, vlerësojnë këto formulime, të cilat burojnë pikërisht nga kjo traditë familjare.
Burojnë nga fakti që Shqipëria nuk ka pasur, as ka ndërmend të bëjë ndryshime në Kodin e Familjes – një ligj që miratohet me shumicë të cilësuar. Për ata që nuk e dinë, ka një hierarki në librat e rregullave që rregullojnë një shtet: është Kushtetuta, pastaj kodet, dhe Kodi i Familjes, prandaj miratohet me tre të pestat e votave. Pastaj janë traktatet, konventat, protokollet ndërkombëtare ku ti aderon. Dhe Shqipëria në vitin 2012 e ka ratifikuar këtë konventë, e për pasojë ajo bëhet pjesë e legjislacionit të vendit tonë.
Unë nuk bëj pjesë në ata politikanë – as unë, as kolegët e mi të kësaj pjese të sallës – që hedhin gurin dhe fshehin dorën. Për nevojat e politikës së sotme, na duhet që të dalim kundër. Ndërkohë që vetë kemi votuar këtë tekst që unë po lexoj sot. Ne e kemi firmosur në vitin 2011 dhe e kemi ratifikuar në 2012.
E fundit, zoti kryetar, për të mos u zgjatur – u përmend këtu Presidenti Trump. Presidenti Trump ka një meritë të veçantë për fokusin që i ka dhënë këtyre çështjeve, dhe për këtë s’besoj që kemi asnjë dallim. Natyrshëm, nuk është ky rasti për të treguar se sa burra apo sa gra të forta jemi ne këtu, por ky është rasti për të treguar që duhet të bëjmë dallimin.
Ky ligj nuk flet për asnjë nga ato që u tha, por flet pikërisht për barazinë mes burrit dhe gruas, barazinë mes grave dhe burrave të këtij vendi në mundësi dhe në shanse – në vendet e punës, në paga, në mundësinë për t’u zgjedhur. Dhe të thuash “unë jam kundër këtij ligji” është njësoj si të thuash që “jam kundër Kodit Zgjedhor”, ku përcaktohet detyrimi që ka çdo parti politike për të propozuar të paktën një të tretën e listës nga njëra gjini.
Dhe po ju marr një rast, për shembull subjektin politik Partia Socialiste. Në listën zgjedhore në Tiranë, ku në listën e mbyllur të Tiranës, gjinia mashkullore – burrat – ishin në kuotën minimale të mundshme që mund të pranonte Kodi Zgjedhor. Pra, burrat ishin një e treta e listës dhe gratë e vajzat ishin dy të tretat e listës. Uroj që një ditë ta arrijmë këtë pikë, jo vetëm te pjesa e mbyllur, por edhe te pjesa e hapur, se mirë do t’i bënte shoqërisë sonë që të drejtohej më shumë nga vajzat e gratë sesa nga ndonjë burrë që ikën pa marrë përgjigje.
Faleminderit
            
	





