
Një tjetër infrastrukturë e rëndësishme, pjesë e Korridorit VIII, është autostrada Elbasan-Lekaj, me një gjatësi prej 40,7 km, që nis në afërsi të ish – Kombinatit Metalurgjik në Elbasan dhe përfundon në Lekaj, në afërsi të Rrogozhinës.
Punimet për autostradën që do të jetë e kategorisë A, duke plotësuar të gjitha standardet europiane të lëvizjes nisën në muajin janar të këtij viti dhe përbëjnë fazën e tretë të projektit për Korridorin VIII.
Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Elbasan, ku nisi inspektimet nga kantieri i kësaj rruge, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë Belinda Balluku.
“Jemi në korridorin e 8, në një nga kantieret e fazës së tretë. Ky është një nga korridoret më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore do të jetë dhe hekurudhore në te ardhmen. Do të jetë e ndarë në tre faza. Kemi fazën nga Elbasani deri në daljen e re kufitare pra në urën e Bushtricës. Kemi Bypassin e Elbasanit që është faza e dytë dhe kjo është faza e tretë nga Elbasani në drejtim të Rrogozhinës.
E kemi thënë disa herë që këtu punojmë në kushte të favorshme krahasimisht me fazën e parë, pra nga Elbasani në drejtim të Urës së Bushtricës duke qenë se atje gjeologjia është komplekse dhe veprat e artit janë shumë më intensive për sa i perket tuneleve, urave, vijadukteve etj. Ndërkohë që, këtu ndodhemi në një gjeologji lumore duke na dhënë mundësinë që të ecim shumë shpejtë.
Janë 40 km në këtë fazë të tretë. Ne punojmë rreth 20 km e parë, duke qenë se kemi filluar nga Elbasani deri në kthesën e Cërrikut dhe më pas nga Cërriku Papër dhe Urën e Grykshit.
Këtu jemi në pjesën e tretë të kësaj faze të tretë dhe është një kantier që ka ecur mirë, është një kantier i cili unë besoj do jemi brenda të gjitha afateve konktraktuale dhe dorëzimi i tij do të jetë brenda 18 muajsh.” – shpjegoi Ministrja Balluku teksa theksoi se “Te treja kantieret dhe plus tre të tjera në këtë zonë ecin të gjitha me të njëjtin ritëm paralel, kështu që ne besojmë që në pranverën e vitit 2026 këto 20 km të para të fazës së tretë të korridorit të 8 do të jenë të dorëzuara.”
Nga ana e tij, kryeministri Rama tha se ky është një program masiv infrastrukture, i cili po bëhet realitet falë pozicionit të ri që Shqipëria ka fituar edhe në kuadër të fondit të investimeve të Ballkanit Perëndimor.
“Ajo që duhet pasur parasysh është që ky është një program masiv infrastrukture, i cili po bëhet realitet falë pozicionit të ri që Shqipëria ka fituar edhe në kuadër të fondit të investimeve të Ballkanit Perëndimor, edhe falë rritjes domethënëse të cilësisë së projekteve, por në të gjitha rastet sot më sot mbështetja financiare e programeve të BE për Shqipërinë mbetet 90% kredi, natyrisht kredi e butë nga bankat europiane të zhvillimit por kredi. Edhe hekurudhat që janë një pako e re që është hapur tanimë janë po ashtu në këtë kuadër. Me hyrjen në BE jo vetëm që mbështetja financiare rritet në mënyrë eksponenciale ose thënë e ndryshe nëse deri tani ne kemi marrë një mbështetje pak më shumë sesa diçka më shumë sesa një miliardë, me hyrjen ne BE marrim diçka e më shumë se 1 miliard cdo vit por shumë e rëndësishme, 90% e mbështetjes për një vend anëtar nuk është kredi po është grant, pra është fond solidariteti i vendeve kontribuuese për vendet përfituese siç do jetë Shqipëria. Kjo është shumë e rëndësishme.” – u shpreh Kryeministri.
-Korridori 8 është autostradë. Ka një gjerësi prej 26 metrash me dy korsi kalimi dhe një korsi emergjence, duke përballuar kështu një fluks rreth 40 mijë mjete për 24 ore në kushte normale. Traseja pothuajse është hapur e gjitha dhe trupi i rrugës është realizuar rreth 50 % të totalit.
Aksi Elbasan- Lekaj kalon në rajonet Elbasan (Bradashesh, Shirgjan, Gjegjan, Cërrik, Papër), Peqin (Pajovë, Shez, Gjocaj, Peqin, Karine) dhe Kavajë (Sinaballaj, Rrogozhinë). Ai nis në afërsi të ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan dhe përfundon në Lekaj, në afërsi të Rrogozhinës.